Humbja turpëruese e Kosovës nga Zvicra, reagon Agim Ademi

- Bota Sot

Humbja turpëruese e Kosovës nga Zvicra, reagon Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas humbjes së rëndë që pësoi Kosova në ndeshjen kualifikuese kundër Zvicrës në Bazel, ku “Dardanët” u mundën me rezultat 4-0.

Ademi u shpreh se kjo disfatë është e dhimbshme për të gjithë, por theksoi se netë të tilla janë pjesë e futbollit dhe se ekipi duhet të reagojë fuqishëm në sfidat e ardhshme.

“Kjo është vetëm një betejë e humbur dhe jo fundi i rrugës. Kam besim te këta djelmosha, të cilët do të nxjerrin mësime dhe do të rikthehen më të fortë”, tha ai.

Kreu i FFK-së vlerësoi lart mbështetjen e tifozëve kosovarë në Bazel, ku stadiumi ishte i mbushur kryesisht nga “Dardanët”. “Për këtë mikpritje dhe dashuri të pakufijshme për Kosovën, jam thellësisht mirënjohës”, shtoi Ademi.

Ai u bëri thirrje tifozëve që të vazhdojnë ta përkrahin kombëtaren, sidomos në ndeshjen e radhës kundër Suedisë, e cila do të zhvillohet të hënën.

“Forca jonë më e madhe është uniteti. Vetëm kështu mund të rikthehemi pas një mbrëmjeje si kjo dhe të vazhdojmë të kërkojmë suksesin e shumëpritur. Kombëtarja është e të gjithëve dhe duhet ta mbështesim në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira”, përfundoi Ademi.

Ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror 2026 Kosova e zhvillon më 8 shtator kundër Suedisë në Prishtinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot