Barcelona i jep Rashford-it fanellën ikonike të legjendës Cruyjff

- Bota Sot

Barcelona i jep Rashford-it fanellën ikonike të legjendës Cruyjff

Pas mbylljes së merkatos, Barcelona ka zyrtarizuar numrat e fanellave për sezonin e ri dhe një nga vendimet që ka marrë më shumë vëmendje lidhet me Marcus Rashford.

Sulmuesi anglez, i huazuar nga Manchester United i Ruben Amorim, do të mbajë fanellën me numrin 14, një numër me peshë të madhe historike për klubin katalanas.

Ky numër u bë legjendar në vitet ’70 falë Johan Cruyff-it, i cili jo vetëm që shkëlqeu si lojtar, por më vonë edhe si trajner i Barcelonës, duke krijuar një epokë të artë mes viteve 1988-1996. Pas tij, fanella u mbajt nga i biri, Jordi Cruyff, dhe më vonë nga futbollistë si Emmanuel Amunike.

Në vitin 2003, Lionel Messi përdori numrin 14 në debutimin e tij me ekipin e parë, në një miqësore kundër Portos, përpara se të merrte përjetësisht numrin 10. Në vitet e mëvonshme, edhe emra të rëndësishëm si Thierry Henry dhe Javier Mascherano kanë mbajtur këtë fanellë. Ndërsa Philippe Coutinho, Nico González dhe João Félix ishin ndër lojtarët që e trashëguan përkohësisht pa lënë një gjurmë të madhe.

Tani, radha i takon Rashford-it që të mbajë këtë fanellë të rëndë simbolikisht, duke u vendosur përkrah emrave që kanë bërë histori në Camp Nou. Nga ana tjetër, Robert Lewandowski dhe Raphinha do të mbajnë respektivisht numrat 9 dhe 11, ndërsa Lamine Yamal, siç ishte bërë e ditur më herët, është zyrtarisht numri 10 i Barcelonës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot