Mesfushori belg, Kevin De Bruyne, e ka pranuar se ndeshja e 18 shtatorit në “Etihad Stadium” ku ai do të jetë me fanellën e Napoli kundër Manchester City, do të jetë një përjetim interesant për të.
Tridhjetë e katër vjeçari është larguar këtë verë nga City pasi kontrata e tij nuk është rinovuar, duke i dhënë fund një epoke të gjatë dhe të suksesshme nën drejtimin e Pep Guardiola.
Pas transferimit në Napoli, ai tashmë do të përballet me ish-klubin e tij në hapjen e fazës së grupeve të Champions League.
“Kam luajtur vetëm dy ndeshje në Serie A. Është ndryshe nën drejtimin e Conte krahasuar me vitet me Guardiola. Në Itali loja është më taktike dhe më e ngadaltë, por në fund mbetet futboll”, ka thënë De Bruyne.
Ai ka shtuar se kthimi në “Etihad” do të ketë emocion të veçantë.
“Përballja me City do të jetë e çuditshme. City është klubi im dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, është shprehur ai.
De Bruyne është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Manchester City, ku fitoi disa tituj të Premier League dhe një Champions League, para se të niste aventurën e tij të re në Serie A.