Pas përfundimit të merkatos dhe formatimit total të skuadrës për edicionin 2025-26, vlera e skuadrës së Vllaznisë kap një shifër prej 4.95 milionë eurove në tregun e shit-blerjeve të futbollistëve.Kështu afrimi më i fundit në radhët e shkodranëve, Çarls Bismark ka rritur vlerën e ekipit të Martinit me 250 mijë euro. Pasi ky është çmimi me të cilin vlerësohet ganezi në merkato sipas faqes së specializuar të “Transfermarkt”.
Po sipas kësaj faqeje, futbollisti më i shtrenjtë në radhët e 9 herë kampionëve të vendit është Sherif Kallaku. Me fushëkrujasin, i cili kap vlerën e 700 mijë eurove në merkato, duke qenë kështu futbollisti i dytë më i shtrenjtë në Superioren e këtij sezoni.
Ku para tij qëndron vetëm Rouan Human, i afruar së fundmi te Partizani dhe që vlerësohet me 850 mijë euro në treg.
Pas Kallakut gati me gjysmën e vlerës së ish-fantazistit të Teutës për nga vlera e kartonit te Vllaznia vjen Esat Mala. Prizrenasi kap një vlerë prej 400 mijë eurosh në merkato, duke qenë kështu futbollisti i dytë më i shtrenjtë tek kuqeblutë.
Aron Jukaj dhe Aleksander Kuros mbyllin podiumin e futbollistëve më të shtrenjtë tek Vllaznia, me dyshen që vlerësohen me 300 mijë euro në treg. Përshtypje bën vlera vetëm prej 200 mijë eurosh që vlerësohet Kastrati, me një futbollist që më parë në treg kishte shifrën e 2 milionë eurove. Dhe që tek kuqeblutë kërkon pikërisht të rikthehet në nivelet e larta që ka pasur dikur.
Në total Vllaznia është ekipi i pestë më i shtrenjtë i Superiores këtë sezon, ku para shkodranëve në vlerën e 6.28 milionë eurove qëndron Flamurtari, Partizani me një vlerë prej 6.23 milionë eurosh, Dinamo me 5.85 milionë euro dhe Egnatia me vlerën e futbollistëve të saj që kap 5.48 milionë euro.