Në Izrael, Italia do të zbresë në fushë me vetëm një qëllim, marrjen e tre pikëve.
Trajneri ka paralajmëruar ndryshime në formacion duke theksuar se ndeshja do të jetë vendimtare për ecurinë në botëror.
Pas fitores së thellë ndaj Estonisë, kombëtarja italiane e Rino Gattusos pritet të ndryshojë fytyrë nesër në përballjen ndja Izraelit. Trajneri e ka bërë të qartë se përballë një kundërshtari më cilësor kërkohet më shumë ekuilibër dhe jo më 4-4-2 ultra-ofensiv i përdorur në Bergamo.
Izraeli ka tri pikë më shumë dhe për Italinë sfida është vendimtare për të siguruar të paktën vendin e dytë në grup e hyrjen në playoff për Botërorin. Për këtë arsye Gattuso synon të kalojë në 4-3-3, me Locatellin regjistor mes Barellas dhe Tonalit, për të forcuar mesfushën dhe mbrojtjen.
Në sulm, njëri mes Kean dhe Retegui pritet të ulet në stol, ndërsa Raspadori është kandidati kryesor për të startuar pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj Estonisë me një gol dhe dy asiste. Edhe Cambiaso mund të ketë shanset e tij në krah, ndërsa Dimarco mund të përdoret si armë për pjesën e dytë.
Gattuso paralajmëroi një ndeshje krejt tjetër nga ajo e Bergamos. “Kundër Izraelit duhet më shumë kujdes, sepse është një përballje që vlen si një finale për të dyja skuadrat” tha ai duke shtuar synimin për të dalë me tre pikë nga Debreceni.