Kombëtarja shqiptare e futbollit bëhet gati për ndeshjen e kualifikueseve të Botërorit ndaj Letonisë e ndërgjegjshme se për të mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim, i duhet të përmirësojë shumë gjëra dhe më kryesorja, shënjestrën para portës. Jo vetëm me golat e shënuar, 5 të tillë në 5 ndeshjet e luajtura në këtë vit, përfshirë edhe miqësoren me Gjibraltarin. Por specifikisht me gjuajtjet në portë e portës.
Statistikat e publikuara nga UEFA për ndeshjet e këtij viti, tregojë se Shqipëria lë shumë për të dëshiruar sa u përket tentativave brenda katërkëndorit të portës kundërshtare. Rekordi negativ i këtij viti është ai i ndeshjes me Anglinë, ku Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gjuajtje në portën kundërshtare. Keq ka bërë edhe me Letoninë në ndeshjen e parë, me vetëm dy tentativa në portë, ku njëra duhet theksuar se përfundoi në rrjetë.
Më pas është sfida me Gjibraltarin, ku u regjistruan tre, ndërsa me Serbinë janë 4 tentativa në portë. Ndeshja me më shumë gjuajtje në portë është ajo me Andorrën, e fituar 3-0, ku u regjistruan 7 të tilla. Në total janë 16 gjuajtje në 5 ndeshje të luajtura këtë vit, shumë pak për një ekip që ka ambicie që një ditë të luajë në Botëror dhe padyshim gjëja e parë që duhet rregulluar në rrugëtimin e saj.
Shqipëria ka në grup edhe katër ndeshje të tjera, ku pas Letonisë që përballet nesër, do të ketë edhe Anglinë në shtëpi si edhe dy transfertat, atë në Serbi dhe tjetrën në Andorra. Në këto sfida, kuqezinjtë do të synojnë jo vetëm që të përmirësojnë shënjestrën, por gjithashtu të marrin sa më shumë pikë të jetë e mundshme, për të pasur mundësi që të sigurojë një vend për në Botëror.