Sot u nda nga jeta Latif Muçaj, veterani i arsimit nga Lugishta e Hasit.
Ikja e mësuesit Latif Sali Muçaj më 8 shtator 2025, vetëm pak ditë para botimit të librit “Hasi – katër shekuj shkollë dhe arsim shqip”, është një humbje e dhimbshme për familjen, komunitetin arsimor dhe të gjithë ata që e njohën. Latifi ishte një nga ata njerëz të rrallë, të cilët arsimin e panë si mision, kulturën si forcë të vetëdijes kombëtare dhe jetën si shërbesë për të tjerët.
Latif Sali Muçaj lindi më 18 shkurt 1952 në Lubizhdë të Hasit, në një familje të thjeshtë, por me virtyte të forta punëdashurie dhe nderi. Hapat e parë të dijes i mori në fshatin e lindjes dhe më pas në Zym, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Skënderaj, ku prindërit e tij mbanin një furrë buke – simbol i ndershmërisë dhe djersës së pastër. Në ato vite, krijoi miqësi të thella, ndër të cilat edhe me Hamëz Jasharin, figurë e pavdekshme e historisë sonë kombëtare.
![]()
Dashuria për gjuhën dhe librin e çoi të studionte Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren. Pas diplomimit, më 1 shtator 1973, Latif Muçaj nisi punën si arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën Fillore “Bajram Curri” të Romajës, duke dhënë mësim në paralelen e ndarë në Lubizhdë. Shumë shpejt, dashuria e tij për mësimdhënie, kujdesi për nxënësit dhe korrektësia profesionale u bënë pjesë e identitetit të tij.
Karriera e tij arsimore kulmoi me detyrën e drejtorit të Shkollës Fillore “Pjetër Budi” në Lubizhdë (2000–2008), ku me vizionin e tij për edukim dhe përkujdesje institucionale, krijoi një klimë bashkëpunimi e respekti, duke e kthyer shkollën në qendër të dijes dhe aktiviteteve kulturore.
![]()
Por Latifi nuk u mjaftua me muret e klasës. Ai e jetoi kulturën si mision shpirtëror dhe atdhetar. Me pasion e vendosmëri, vuri në skenë dhjetëra drama e pjesë teatrale, duke i dhënë zë historisë, traditës dhe dhimbjes së popullit të vet. Kujtohen me respekt inskenimet e “7 Shaljanët” të Ndrekë Lucës dhe veçanërisht “L’keni i Hasit” të Edi Shukriut, një homazh për figurën e ndritur të Shtjefën Gjeçovit. E vënë në skenë në vitin 1993, kjo dramë u prit me jehonë në Prizren, Gjakovë, Has e Prishtinë, duke sfiduar guximshëm rrethanat e kohës dhe duke ngjallur krenari kombëtare.
![]()
Pas gati gjysmë shekulli pune e përkushtimi, Latif Muçaj doli në pension më 18 shkurt 2017, duke lënë pas një gjurmë të pashlyeshme në arsim dhe kulturë. Rruga që ai hapi, mbetet e ndriçuar me dritën e dijes, të sakrificës dhe dashurisë për vendin.
Sot, kur libri për mësuesit hasjanë po bëhet gati për botim, ndiej dhimbjen e pengun që Latifi nuk arriti ta mbajë në dorë. Ai e priste me gëzim këtë dëshmi për brezat, një libër ku edhe vetë është pjesë e panteonit të nderit të arsimit hasjan. Ikja e tij na thërret të reflektojmë për vlerën e mësuesve që nuk jetojnë vetëm për vete, por për brezat që vijnë.
Latif Sali Muçaj do të kujtohet gjithmonë si mësuesi që la gjurmë, si nismëtar i pandalur në fushën e artit dhe kulturës, si frymëzues i brezave për rrugën e dijes dhe vetëdijes kombëtare. Emri dhe vepra e tij do të mbeten pjesë e kujtesës sonë kolektive – një fener drite për Hasin dhe gjithë Kosovën.
Në këtë ditë zie e kujtese, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Muçaj, të afërmve, kolegëve dhe gjithë miqve që e deshën dhe e nderuan. Falënderojmë me respekt familjen që ndau me ne një njeri të tillë të çmuar, që i dha arsimit, kulturës dhe Hasit më të mirën e vet. Kujtimi për Latif Sali Muçajn do të mbetet i gjallë ndër breza, si frymëzim dhe amanet për të ecur me dinjitet në rrugën e dijes dhe të dashurisë për atdheun. / Shkruar nga Besim Muhadri