Partizani ishte një nga skuadrat më aktive në merkato, duke bërë deri tani dhjetë afrime.
Më i fundit ka qenë ai i Albion Markut, një lëvizje që ka tërhequr vëmendje të madhe. Megjithatë, merkato nuk konsiderohet e mbyllur.
“Panorama Sport” mëson se po punohet për të sjellë edhe një sulmues krahu, që të vendoset nën urdhrat e Milinkoviç. Dhe pse merkato është mbyllur, bëhet fjalë vetëm për futbollistët që janë me ekip. Ata që janë të lirë mund të firmosin gjatë kësaj kohe. Reparti i sulmit ka qenë më i prekuri nga ndryshimet gjatë kësaj vere.
Largimet kanë qenë të shumta dhe kjo ka detyruar klubin të ndërhyjë me afrime të reja. Tani kërkohet një element tjetër, që do të ndihmojë. Lëvizja e pritshme shihet si një hap i matur, duke pasur parasysh se grupi është tashmë i plotësuar me disa alternativa. Vëmendja e skuadrës ndërkohë është e gjitha te kampionati.
Të shtunën, më 13 shtator në orën 19:00, Partizani do të luajë në transfertë ndaj Vllaznisë. Një sfidë e cila përbën një provë e rëndësishme për kuqtë, që pas dy javësh kampionat kanë siguruar katër pikë.
Fitorja ndaj Vorës dhe barazimi me Teutën kanë qenë ndeshjet e para të sezonit për skuadrën e Milinkoviç.Nga ana tjetër, Vllaznia ka grumbulluar tre pikë. Shkodranët kanë zhvilluar dy sfida të vështira, ndaj Egnatias dhe Dinamos, skuadra që shihen si kandidate për titull.
Pikërisht kjo e bën edhe më interesante përballjen në “Loro Boriçi”, ku pritet të matet realisht forca e Partizanit në këtë fillim sezoni.