Shqipëria kërkon të thyejë “akullin” ndaj Letonisë

- Bota Sot

Shqipëria kërkon të thyejë “akullin” ndaj Letonisë

Kombëtarja shqiptare zbret sot në fushë kundër Letonisë, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikimeve të Botërorit 2026.

Përballja do të luhet në “Air Albania” nga ora 20:45 dhe tri pikët konsiderohen jetike për ëndrrën kuqezi.

Atmosfera në stadium pritet të jetë e zjarrtë, megjithëse interesi për biletat nuk ka qenë në nivelet e zakonshme. Policia ka paralajmëruar masa sigurie, duke bllokuar rrugët rreth stadiumit që prej orës 17:00 dhe duke ndaluar futjen e sendeve të rrezikshme.

Trajneri Sylvinho pritet të bëjë ndryshime të shumta, krahasuar me miqësoren ndaj Gjibraltarit. Strakosha rikthehet në portë, Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj formojnë mbrojtjen; Asllani, Berisha dhe Shehu në mesfushë; Broja e Hoxha nga krahët, me Daku dhe Manaj në balotazh për qendërsulmues.

Trajneri Sylvinho është detyruar nga rregullat e UEFA-s që të ketë të gatshëm 23 futbollistë, nga 25 që ka grumbulluar. Kështu, Myrto Uzuni që kishte shfaqur disa shqetësime fizike dhe Maldini Kacurri, janë lënë në tribunë.

Shqipëri-Letoni do të gjykohet nga arbitra polakë, ndërsa kuqezinjtë para këtij dueli mbajnë vendin e tretë me 5 pikë, 2 më pak se Serbia e vendit të dytë. Në rast fitoreje kuqezinjtë do të riktheheshin të paktën përkohësisht në vendin e dytë, duke e bërë sfidën e tetorit kundër Serbisë vendimtare për fatin e kualifikimit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot