Napoli ka dalë së fundmi me një njoftim zyrtar për rezultatin e ekzaminimeve mjekësore për Amir Rrahmanin.
Mbrojtësi i Kosovës ka pësuar një dëmtim të shkallës së ulët në bicepsin femoral të kofshës së djathtë, një lajm i keq për trajnerin Antonio Conte.
Rrahmani nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e fundjavës kundër Fiorentinës, ndërsa rrezikon të mungojë edhe në ndeshjen e Champions League ndaj Manchester City-t. Objektivi i tij është rikthimi më 22 shtator, në takimin e kampionatit kundër Pisës.
Mbrojtësi kosovar doli i dëmtuar gjatë përballjes Kosovë–Zvicër dhe në marrëveshje me stafin mjekësor të Napolit vendosi të kthehej menjëherë në Itali për të shmangur përkeqësimin e gjendjes. Ai ka nisur tashmë procesin e rehabilitimit.
Nga “SSC Napoli Training Center” u njoftua se skuadra zhvilloi një seancë të dyfishtë stërvitore: në mëngjes aktivizim teknik, ndërsa pasdite ushtrime aerobike. Elmas dhe Rrahmani janë rikthyer nga angazhimet me kombëtaret e tyre, por për qendërmbrojtësin kosovar kontrollet në spitalin “Pineta Grande” konfirmuan dëmtimin e bicepsit femoral. Klubi theksoi se lojtari ka nisur tashmë itinerarin e rikuperimit.