Pensionimi i komandantit të Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) në Serbi ngjalli dyshimet se autoritetet po ushtrojnë trysni mbi këtë njësi elitare të policisë, për të ndërhyrë në protestat kundër qeverisë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha më 7 shtator se komandanti i SAJ-it, Spasoje Vulleviq, po tërhiqej “me kërkesën e tij personale”, por vetë Vulleviq i tha agjencisë së lajmeve, Beta, se ai ishte shkarkuar më parë nga pozita e tij si komandant, me kërkesë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se më pas ka vendosur të tërhiqej.
Predrag Petroviq, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, beson se ky shkarkim është rezultat i përpjekjeve për të siguruar besnikëri të plotë të “stafit komandues” ndaj pushtetit në Serbi.
“Vuçiq nuk ka më nevojë për një polici që vepron sipas interpretimeve kreative ose të shtrembëruara të ligjit. Ai ka nevojë që policia të veprojë sipas vullnetit dhe dëshirës së tij”, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.
Këto ndryshime në personelin e policisë serbe vijnë mes akuzave për përdorim të tepruar të forcës nga policia kundër protestuesve antiqeveritarë.
Policia, disa herë, i ka shpërndarë me forcë protestat në të gjithë Serbinë, të cilat vazhdojnë tash e dhjetë muaj.
Protestuesit kërkojnë që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave, pas rrëzimit të çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Pretendime kontradiktore për pensionimin e komandantit të SAJ-it
Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Spasoje Vulleviq, i tha agjencisë Beta se është shkarkuar nga pozita e tij si komandant i SAJ-it dhe se po del në pension me kërkesën e tij.
Ai tha se është bërë një riorganizim i vendeve të punës dhe se më 5 shtator i është thënë se nuk do të llogaritet më si komandant, sepse nuk është nën kontrollin e Vuçiqit.
“Të premten më shkarkuan dhe më ofruan postin e këshilltarit të ministrit. Unë e refuzova këtë ofertë dhe po dal në pension me kërkesën time”, tha Vulleviq.
Ai tha se është informuar për shkarkimin nga ministri Daçiq dhe drejtori i Policisë, Dragan Vasileviq.
“Daçiq dhe Vasileviq më thirrën dhe më thanë se nuk llogarisin më tek unë, sepse, siç thanë, presidenti nuk dëshiron të ketë një formacion të armatosur që nuk është nën kontrollin e tij absolut dhe, për shkak të kësaj, unë nuk mund të jem më komandant”, tha Vulleviq.
Vulleviq nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar shkarkimin dhe pensionimin e tij.
Daçiq, në anën tjetër, tha se Vulleviq e ka marrë vetë vendimin për t’u pensionuar, “pa asnjë ndikim nga jashtë”.
Daçiq tha se ai, si ministër i Brendshëm, merr vendimet për pensionimet në sistemin e ministrisë që udhëheq.
“Drejtori i Policisë vendos për vendimet e personelit me pëlqimin tim, e jo presidenti Vuçiq apo dikush tjetër. Ndaj, është çmenduri të përfshihet dikush jashtë Ministrisë së Brendshme në çështjet e marrëdhënieve të punës në Ministrinë e Brendshme, e sidomos presidenti Vuçiq”, tha Daçiq.
Vuçiq tha se, edhe pse nuk ishte pro shkarkimit të Vulleviqit, është mirë që ai së shpejti do të pensionohet.
“Reagimi i tij është i mjaftueshëm, sepse nëse ai shkarkohet ose kërkon pension... mjafton të shikosh reagimin dhe të shohësh te çdo njeri nëse ka nder apo jo”, tha Vuçiq.
Vulleviq ishte komandant i SAJ-it që nga viti 2005.
Pretendimet për ekstremizëm dhe “përdorimi më serioz” i SAJ-it
Petroviq thotë se pjesëtarët e SAJ-it kanë qenë të pranishëm gjatë disa protestave të mëparshme antiqeveritare dhe se përfshirja e tyre nuk do të ishte një gjë e re.
Disa media raportuan se pjesëtarët e SAJ-it kanë qenë të pranishëm në stacionin hekurudhor të Prokopit në Beograd, i cili është bllokuar gjatë një proteste të madhe kundër minierave të litiumit në gusht të vitit 2024.
“Ajo që mund të jetë e re, është përdorimi më serioz i tyre, e jo vetëm për të shpërndarë me dhunë demonstratat. Është një njësi shumë e specializuar për luftimin e terrorizmit, situatave të pengjeve, me individë të trajnuar mirë... dhe autoritetet aktuale i trajtojnë protestuesit si ekstremistë”, thotë Petroviq.
Në Rregulloren për Njësitë Speciale të Policisë së Serbisë, fushëveprimi i punës së SAJ-it përfshin “planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin e detyrave më komplekse e me rrezik të lartë në luftën kundër terrorizmit”.
Megjithatë, thuhet se me pëlqimin e ministrit, “SAJ-i merr pjesë në kryerjen e detyrave të tjera policore dhe të punëve të brendshme, të cilat, për shkak të specifikës, kompleksitetit ose rrezikut ekstrem, nuk mund të kryhen në mënyrë të pavarur nga njësitë e tjera organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
Autoritetet në Serbi i përshkruajnë vazhdimisht protestuesit antiqeveritarë si ekstremistë dhe terroristë.
Në një konferencë për media më 17 gusht, Vuçiq i cilësoi si terrorizëm ngjarjet nga protestat antiqeveritare dhe lexoi një nen të Kodit Penal të Serbisë për terrorizmin. Kjo, pasi disa net më parë, në qytete të ndryshme të Serbisë kishte pasur trazira dhe përplasje midis protestuesve dhe policisë.
“Çfarë ishte ajo në Novi Sad dhe Valevë, nëse jo terrorizëm? I pastër, i papërzier”, tha Vuçiq atëkohë.
Petroviq thotë se nuk do të habitej nëse SAJ-i do të përdorej në protesta “për të luftuar terrorizmin”.
Roli i SAJ-it në vitet 1990 dhe 2000
SAJ-i u formua më 18 dhjetor të vitit 1978 dhe në këtë datë shënon çdo vit ditën e tij.
Në këtë ditë, prej vitesh, organizata joqeveritare Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut kërkon përmes një letre të hapur që Ministria e Brendshme e Serbisë dhe SAJ-i të mbajnë përgjegjësi për fshehjen e trupave të viktimave të krimeve të luftës në Kosovë në Qendrën e Trajnimit të SAJ-it në Batajnicë.
Trupat e shqiptarëve të vrarë, 744 prej tyre, u gjetën në vitin 2001 në terrenin e atij poligoni policor në Batajnicë, pranë Beogradit.
Anëtarët e SAJ-it morën pjesë në të ashtuquajturat “operacione antiterroriste” në Kosovë gjatë viteve 1990.
Komandanti i deritanishëm i SAJ-it, Vulleviq, tha në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë në vitin 2021, se “një numër i madh policësh dhe ushtarësh kanë humbur jetën në prita dhe në aksione të tjera terroriste, që kanë kryer njësitë terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
UÇK-ja ishte organizatë politike-ushtarake, që luftoi për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999, ndërsa autoritetet në Serbi e quajnë atë “organizatë terroriste”.
Natasha Kandiq, themeluese e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Serbi, shkroi në rrjetin X se Spasoje Vulleviq dëshmoi disa herë për krimet në Kosovë dhe se ajo e kujton atë për “dëshminë e tij të ndershme”.
“Spasoje Vulleviq, komandant i kohës së luftës i togës SAJ, dëshmoi në gjyq se më 28 mars, 1999, policia e rregullt në Podujevë kishte detyrë ta ‘nxirrte’ popullsinë shqiptare nga shtëpitë dhe ta dërgonte në rrugë drejt magjistrales. Kur e pyeta nëse bëhej fjalë për dëbim, përgjigjja e tij ishte ‘po, po’. E vërtetë, e ndershme”, shkroi ajo në rrjetin X, më 7 shtator.
Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se 13.000 civilë u vranë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Rreth 1.600 persona - kryesisht shqiptarë - janë ende të zhdukur.
Gjatë viteve 2000 u përmend veprimtaria e SAJ-it para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd, e cila u dogj pas një mitingu kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Policia që siguronte ambasadat, u tërhoq pak para sulmit të huliganëve, dhe sipas dëshmive, SAJ-i dhe xhandarmëria reaguan më vonë.
Gjatë viteve 2000 u organizuan dhjetëra ushtrime të përbashkëta stërvitore midis SAJ-it dhe forcave speciale amerikane, dhe Vulleviq i tha Radio Televizionit të Serbisë në vitin 2021 se ata bashkëpunojnë me njësi nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, si dhe me të gjitha forcat speciale të Bashkimit Evropian./REL