Ndeshja ndaj Letonisë është padyshim një nga sfidat më të rëndësishme për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë në Botërorin 2026.
Çdo rezultat përtej fitores sot, thuajse mbyll çdo shpresë që ekziston që skuadra e drejtuar nga Silvinjo të sigurojë të paktën vendin e dytë në Grupin K që çon në play-off.
Por padyshim që nuk është ndeshja më e vështirë, pasi ajo parashikohet të jetë e para që luajmë në tetor, ndaj Serbisë në transfertë.
Dhe padyshim që sfida në fjalë kërkon lojtarët në maksimum e sidomos që të mos ketë mungesa “të detyruara” nga situata me kartonët.
Për fat të mirë, situata në aspektin disiplinor, është shumë pozitive.
Asnjë prej lojtarëve të Kombëtares shqiptare nuk është ndëshkuar me karton të verdhë në këto eliminatore me përjashtim të Berat Gjimshitit. Ai në fakt ka marrë dy të tillë dhe shleu pezullimin e tij për një ndeshje në takimin e parë ndaj Letonisë.
Kësisoj, asnjë prej futbollistëve nuk rrezikon pezullimin nëse ndëshkohet me një karton të verdhë në ndeshjen e sotme ndaj Letonisë, duke mos qenë të kufizuar kështu në luftën e tyre sportive me frikën se do të humbasin një ndeshje që mund të jetë historike si ajo me Serbinë pas një muaji.