Vetëm dy javë para ndarjes së Topit të Artë 2025, me ceremoninë që do të zhvillohet më 22 shtator në Paris, emri i Lamine Yamal është mes 30 lojtarëve më të mirë në botë.
Adoleshenti 18-vjeçar i Barcelonës ka bërë një sezon të shkëlqyer dhe shihet si kandidat potencial, edhe pse favoritët kryesorë janë Ousmane Dembélé dhe Vitinha, falë suksesit të madh të PSG-së në garat kolektive dhe individuale.
Nëse Yamal do ta fitonte çmimin këtë vit, ai do të bëhej futbollisti më i ri në histori që e arrin këtë arritje, duke thyer rekordin e Ronaldo Nazarios, i cili e fitoi në moshën 21-vjeçare. Megjithatë, spanjolli ka edhe shumë vite përpara për të synuar këtë trofe.
I pyetur për garën, sulmuesi i Barcelonës zgjodhi të mos komentojë shanset e këtij viti, por bëri një deklaratë që tregon ambicien e tij të madhe:
“U thashë miqve të mi se nuk ëndërroj të fitoj një Top të Artë, por shumë. Mendoj se jam një lojtar që ka kapacitet për ta arritur. Nëse nuk ndodh, do të thotë që nuk i kam bërë gjërat siç duhet. Por ëndrra ime është të fitoj sa më shumë”, u shpreh ai në një intervistë për podcastin Resonancia de Corazón.
Sezoni i fundit, Yamal luajti 35 ndeshje në La Liga, duke shënuar 9 gola dhe dhuruar 13 asistime, duke konfirmuar statusin e tij si një nga talentet më premtues të futbollit botëror.