Kapiteni Gjimshiti, pas fitores ndaj Letonisë: 3 pikë të vlefshme

- Bota Sot

Kapiteni Gjimshiti, pas fitores ndaj Letonisë: 3 pikë të vlefshme

Pas triumfit 1-0 të Shqipërisë ndaj Letonisë në “Air Albania”, kapiteni Berat Gjimshiti ka dhënë reagimin e tij përpara medieve.

Mbrojtësi kuqezi u shpreh i kënaqur me fitoren dhe me faktin që Kombëtarja mbajti gjallë shpresat për kualifikim, por theksoi se ekipi vuajti ndjeshëm nga lodhja në pjesën e dytë.

Ai shtoi se skuadra duhet të përmirësojë urgjentisht aspektin fizik, ndërsa theksoi se më e rëndësishme se golat personalë është fakti që Shqipëria fiton dhe ecën përpara në rrugën drejt Botërorit 2026.

“Sigurisht që jemi shumë të lumtur për këto 3 pikë të marra në shtëpi, sepse na mbajnë gjallë në rrugëtimin tonë drejt Botërorit.

Pjesa e parë ishte e mirë, por në të dytën e ulëm ritmin dhe lodhja u ndje qartë tek skuadra. Ky është një aspekt që duhet ta përmirësojmë sa më shpejt. Për rastin tim me golin, e kisha përjetuar një situatë të ngjashme edhe me Atalantën.

Shpresoj që herën tjetër ta shënoj, por mbi të gjitha rëndësi ka fitorja e ekipit. Për ndërrimet e lojtarëve vendos trajneri, unë nuk mendoj për këto gjëra. Sapo ka nisur sezoni dhe as unë nuk jam ende në formën maksimale.

Çdo futbollist do të luajë, por më e rëndësishmja është që të gjithë jemi të lumtur kur Kombëtarja fiton.

Pas vetëm dy ndeshjeve, ende nuk jemi 100%, ndaj duhet të përgatitemi më mirë dhe të marrim më shumë minuta për të qenë gati.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot