Shqipëria triumfon kundër Letonisë, por këngët patriotike mungojnë…

- Bota Sot

Shqipëria triumfon kundër Letonisë, por këngët patriotike mungojnë…

Ditën e ndeshjes së Shqipërisë me Letoninë e karakterizon një atmosferë ndryshe, nga çfarë Kombëtarja është mësuar në Tiranë. Kjo ndihet menjëherë edhe në rrugët e qytetit.

Vetëm policët qëndrojnë me organizim njësoj si herët e tjera, pasi rrugët kanë humbur shumë nga atmosfera e tifozëve. I vetmi detaj që mund të përmendet është prania e shumtë e fëmijëve. Mungesa e grupeve të organizuara “ultras” ka ndikimin e saj, sidomos në stadiumin “Air Albania”. Sektorët e poshtëm prapa porte, për herë të parë janë bosh. UEFA ka dënuar Shqipërinë pas sfidës me Serbinë.

Ndryshe nga ndeshja e ndezur me këto të fundit, ndaj Letonisë vërehet mungesa e grupimeve të organizuara. Himni duket se vetëm po shoqërohet fillimisht, por jo duke u kënduar nga të gjithë. Pa sharje apo flamuj të hapur, është krijuar ndoshta atmosfera më e pazakontë që ka shoqëruar ndonjëherë Shqipërinë në stadiumin kombëtar. Dhe pse flamujt e UÇK-së janë të ndaluar, kjo nuk i pengon disa tifozë që të ndezin stadiumin.

“UÇK, UÇK, UÇK” dhe “Shqipëri Etnike” dëgjohet në dy-tre momente të ndryshme gjatë ndeshjes. Çdo këngë në mbështetje të Kombëtares është rralluar apo edhe më keq, harruar. Vetëm aksionet e rrezikshme i zgjojnë tifozët. Në pushimin e ndeshjes bie në sy se ka hite të vjetra të këngëve shqip, që kanë zëvendësuar ato patriotike. Dhe pse janë të papërfillshëm në numër, thirrjet e letonezëve “Latvia”, mund të dëgjohen po ashtu disa herë. Duke qenë të paktë janë vendosur në një pjesë të tribunës “VIP”.

Sektori që i takon tifozëve miq është mbushur me mbështetësit e Kombëtares. Me përjashtim të momentit të golit, himnit dhe fundit të ndeshjes, stadiumi nuk u ngrit asnjëherë i gjithi në këmbë. Më parë ishin tifozët prapa porte që e kishin këtë ndikim te pjesa tjetër. Këngët e zakonshme që shoqërojnë gjithmonë Kombëtaren munguan, duke e kthyer këtë fitore minimale ndaj Letonisë në një mbrëmje disi ndryshe kur triumfojnë kuqezinjtë. Atmosfera, ndryshe nga rezultati, ishte humbje e vërtetë për këtë ndeshje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot