Kolumbia është tronditur nga një ngjarje tragjike që i mori jetën një prej talenteve më premtues të futbollit. Éder Smic Valencia, vetëm 16 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e së dielës, më 7 shtator, pas një aksidenti rrugor në Guachené, pranë Calì.
I riu, i cili shihej si një ‘yll’ në ngjitje, ishte në prag të një hapi vendimtar në karrierë. Valencia kishte arritur një marrëveshje për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të bashkohej me ekipin e New York Red Bulls, një mundësi që mund t’i ndryshonte jetën.
Por ëndrrat e tij u shuan papritur.
Sipas medieve lokale, aksidenti ndodhi pas përplasjes së një autocisterne me disa mjete të tjera, ku Valencia humbi jetën në vendngjarje.
Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje të thellë në komunitetin sportiv kolumbian dhe më gjerë. Shumë e konsideronin atë si një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm, i aftë të bëhej pjesë e brezit të ri të futbollistëve që do të përfaqësonin me krenari Kolumbinë në arenën ndërkombëtare.
Në moshën vetëm 16-vjeçare, Valencia kishte fituar respektin e trajnerëve dhe bashkëlojtarëve falë talentit, disiplinës dhe dëshirës për të arritur majat. Fatkeqësisht, fati i pamëshirshëm ia ndërpreu rrugëtimin para se të niste vërtet.
Komuniteti sportiv në Kolumbi dhe klubi amerikan që priste të mirëpriste djaloshin kanë shprehur ngushëllime për familjen e tij, ndërsa futbolli kolumbian humbi një tjetër talent të madh shumë herët.