Raphinha, ‘ylli’ i Barcelonës dhe i kombëtares së Brazilit, nuk e fshehu zemërimin e tij pas humbjes 1-0 ndaj Bolivisë në ‘El Alto’, në ndeshjen e fundit të fazës kualifikuese për Botërorin 2026.
Sfida u zhvillua në kushte ekstreme, në mbi 4000 metra lartësi mbi nivelin e detit dhe me temperatura rreth 6 gradë, çka sipas lojtarit ndikoi drejtpërdrejt në performancën e “Seleçaos”.
“Kur një skuadër të detyron të luash në 4000 metra lartësi për të fituar, kjo dëmton shumë ekipet e tjera. Për më tepër, në një ndeshje të barabartë, arbitri shpiku një penallti.
Kjo e bëri edhe më të vështirë për ne,” tha Raphinha pas përfundimit të takimit, duke iu referuar penalltisë së dhënë në minutat shtesë të pjesës së parë, e cila i solli fitoren Bolivisë.
Por pakënaqësia e tij nuk u ndal vetëm tek organizimi dhe gjykimi.
Sipas të përditshmes katalanase ‘Sport’, Raphinha ka shprehur edhe pakënaqësi të brendshme ndaj trajnerit Carlo Ancelotti. Ai nuk e ka pëlqyer faktin që u aktivizua në një ndeshje që konsiderohej “formalitet”, pasi Brazili e kishte siguruar më herët kualifikimin në Botëror.
Lojtari, që ishte titullar pesë ditë më parë ndaj Kilit, preferonte të mos rrezikonte në kushtet e Bolivisë, veçanërisht në një periudhë kur kalendari i Barcelonës është mjaft i ngjeshur.
Me këtë humbje, Brazili e mbylli kualifikimin me një shije të hidhur, ndërsa tensionet e brendshme rreth menaxhimit të skuadrës kanë dalë në pah në prag të përgatitjeve për turneun e vitit të ardhshëm.