Skuadra e Palermos ka marrë sot një lajm të trishtë.
Paul Baccaglini, ish-president i klubit të futbollit për pesë muaj në vitin 2017 dhe ish-reporter i njohur i emisionit televiziv “Le Iene”, është ndarë nga jeta në moshën 41-vjeçare.
Sipas raportimeve të para nga ‘Palermonews’, Baccaglini ka kryer vetëvrasje në banesën e tij në Segrate, Milano. Trupin pa jetë e ka gjetur e shoqja mëngjesin e kësaj të mërkure, më 10 shtator, e cila menjëherë ka lajmëruar autoritetet.
Në vendngjarje kanë mbërritur Karabinierët dhe Prokuroria e Milanos, të cilat kanë nisur hetimet dhe kanë urdhëruar autopsinë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes.
Baccaglini u bë i njohur për publikun italian si pjesë e ekipit të “Le Iene”, përpara se të futej në botën e financave duke krijuar fondin ‘Integritas Capital’. Pikërisht përmes këtij fondi, ai tentoi blerjen e Palermos në vitin 2017, duke nënshkruar një para-kontratë me Maurizio Zamparinin. Projekti parashikonte marrjen e 100% të aksioneve, por marrëveshja nuk u finalizua kurrë.
Pasi Zamparini refuzoi ofertën më 1 korrik 2017, duke e cilësuar të paplotë në garanci, Baccaglini dha dorëheqjen nga posti i presidentit, një rol që mbajti për vetëm pak muaj.
Vdekja e tij ka tronditur opinionin publik italian dhe sidomos botën e futbollit, ku kujtohet si një figurë e re e cila, ndonëse për pak kohë, lidhi emrin e tij me Palermon.