Christian Eriksen firmos me skuadrën nga Bundesliga

- Bota Sot

Christian Eriksen firmos me skuadrën nga Bundesliga

VfL Wolfsburg ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit danez Christian Eriksen, i cili ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin gjerman.

“Jemi shumë të lumtur që kjo mundësi na është hapur në një kohë të shkurtër. Me Christian Eriksen po marrim një lojtar që ka parë dhe përjetuar gjithçka në nivelin më të lartë. Përvoja e tij e jashtëzakonshme, cilësia në fushë dhe personaliteti i tij do t’u japin një shtysë të vlefshme lojtarëve tanë të rinj,” u shpreh drejtori sportiv i Wolfsburgut, Sebastian Schindzielorz.

Eriksen, i cili numëron 310 paraqitje në Premier League me 55 gola e 81 asiste, ka luajtur gjithashtu 43 ndeshje në Serie A dhe 53 në Ligën e Kampionëve. Pjesën më të madhe të karrierës e kaloi te Tottenham Hotspur (2013–2020), përpara se të vishte fanellën e Interit, Brentfordit dhe Manchester United. Ai debutoi si profesionist me Ajax Amsterdam në sezonin 2009/10.

Mesfushori danez u shpreh i lumtur për këtë hap të ri në karrierë:

“Mezi pres këtë aventurë të re. Jam i bindur se mund të bëjmë një ndryshim së bashku në Wolfsburg. Diskutimet me drejtuesit ishin shumë të mira dhe ndjeva menjëherë se trajneri Paul Simonis kishte një ide të qartë për ekipin dhe për mua. Fakti që ka shumë fytyra që i njoh nga kombëtarja daneze në skuadër e bën VfL-në veçanërisht tërheqëse për mua.”

Aktualisht, Wolfsburg ka në përbërje disa futbollistë danezë si Andreas Skov Olsen, Jonas Wind, Adam Daghim, Jesper Lindstrom dhe Joachim Maehle.



Lexoni të gjitha në Bota Sot