Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është shprehur “optimist” për rikthimin e skuadrës në ‘Spotify Camp Nou’, gjatë pjesëmarrjes në homazhin tradicional me rastin e Ditës Kombëtare të Katalunjës, pranë monumentit të Rafael Casanova-s.
Delegacioni i Barcelonës ishte ndër të parët që mori pjesë në ceremoninë zyrtare. Laporta u shoqërua nga nënkryetarja institucionale Elena Fort, nënkryetari sportiv Rafa Yuste, drejtuesit Josep Cubells dhe Ignasi Macià, si dhe sportistë të seksioneve të ndryshme të klubit, përfshirë futbollistin Joan García dhe basketbollistin Joel Parra.
Edhe pse pa dhënë një datë të saktë, Laporta theksoi se kthimi në stadiumin historik është prioritet:
“Do të kthehemi në ‘Camp Nou’ sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi shumë dëshirë të rikthehemi aty”, deklaroi ai.
Megjithatë, për momentin, ndeshja e parë e sezonit në shtëpi në La Liga, ajo ndaj Valencias, do të zhvillohet në stadiumin ‘Johan Cruyff’. Dyshimet mbeten edhe për sfidën kundër Getafes më 21 shtator, për të cilën ende nuk ka siguri se rikonstruksioni i ‘Camp Nou”-t do të jetë gati.
Barcelona ka në dispozicion edhe stadiumin ‘Lluís Companys’, por jo për ndeshjen ndaj Real Sociedad, pasi atë ditë zona do të jetë e bllokuar nga aktivitetet e festës së Mercé. Për këtë arsye, brenda klubit ekziston shpresa që sfida të luhet në ‘Camp Nou’.