Vendos rekord mes trajnerëve të Anglisë

- Bota Sot

Vendos rekord mes trajnerëve të Anglisë

Tomas Tuhel ka regjistruar një arritje të pazakontë në krye të “Tre Luanëve”. Ish-trajneri i Çelsit është tekniku i parë i Anglisë që fiton pesë ndeshjet e para zyrtare me përfaqësuesen angleze, pa pësuar asnjë gol në portën e vet.

Kujtojmë që Anglia mposhti radhazi Shqipërinë (2-0), Letoninë (3-0), Andorrën dy herë (1-0 e 2-0) dhe Serbinë (5-0) në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Ndërkaq, vetë trajneri gjerman i anglezëve deklaroi se fitorja shkatërruese 5-0 ndaj Serbisë ishte punë e skuadrës dhe një paraqitje shumë, shumë e mirë, por jo perfekte.

“Ishim shumë të fortë. Mendoj se ishte punë e të gjithë lojtarëve të skuadrës, në formën e saj më të pastër. Ndihmuam njëri-tjetrin, por gjithashtu kishim edhe intensitetin e duhur në kohën e duhur. Bëmë një përpjekje për të mos pësuar asnjë gjuajtje në portë kundër një skuadre të fortë vendase.

Nëse kërkon ta arrish një gjë të tillë, atëherë duhet të mbështeten lojtarët te njëri-tjetri. Duhet të luash në mënyrë të disiplinuar dhe të ruash intensitetin. Ne e bëmë këtë dhe lojtarët realizuan një punë të shkëlqyer. Kështu që respekt për ekipin! Ua thashë më parë, patëm një javë të shkëlqyer nga fillimi deri në fund dhe kjo ishte prova e të gjithë kësaj”, komentoi Tuhel.

Suksesi i Anglisë kundër Serbisë i çon “Tre Luanët” në një epërsi prej 7 pikësh në Grupin K kundrejt Shqipërisë së vendit të dytë, me tre ndeshje të mbetura ende në kualifikueset e Kupës së Botës që zhvillohet vitin e ardhshëm në Amerikë, Kanada dhe Meksikë. “Do të thoja se jam i lumtur për lojtarët që arritën t’u tregojnë tifozëve në stadium – të cilët ishin të shkëlqyer meqë ra fjala – si dhe tifozëve tanë në shtëpi, se çfarë janë të aftë të bëjnë.

Mbi të gjitha, lojtarët treguan sesi funksionojnë sëbashku nëse luajnë si skuadër. Kjo është ajo për të cilën jam më i lumtur dhe ishte një paraqitje shumë e mirë me një rezultat perfekt”, përfundoi specialisti gjerman, i cili e mori drejtimin e Anglisë më 16 tetor 2024 mes skeptizimit, përderisa nuk kishte marrë asnjëherë drejtimin e një kombëtareje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot