Liverpool duket se nuk ka ndërmend të ndalet në merkato.
Pas afrimeve të bujshme këtë verë, drejtuesit e klubit anglez tashmë po planifikojnë lëvizjet për sezonin e ardhshëm, me dy emra të spikatur në listën e dëshirave të trajnerit Arne Slot.
Sipas raportimeve në Angli, i pari në shënjestër është Marc Guehi, mbrojtësi i Crystal Palace.
Kontrata e tij po shkon drejt skadimit dhe “The Reds” po studiojnë mundësinë që ta sigurojnë me parametër zero, duke e konsideruar si një mundësi ideale për të përforcuar repartin defensiv. Në klub mbizotëron optimizëm për arritjen e marrëveshjes, pasi lojtari shihet si një profil që përshtatet në mënyrë perfekte me projektin e Liverpool-it.
Objektivi i dytë është sulmuesi i krahut të djathtë, Michael Olise, aktualisht pjesë e Bayern Munich. Francezi 22-vjeçar është një nga talentet më premtues të futbollit evropian, dhe Liverpool është gati të bëjë një investim të madh për të. Shifrat që qarkullojnë arrijnë deri në 90 milionë paund, duke treguar seriozitetin e interesimit të klubit anglez.
Në “Anfield” besojnë se afrimi i Guehi dhe Olise do të kompletonte ndjeshëm skuadrën për të ardhmen, duke i dhënë më shumë cilësi dhe thellësi grupit, me synimin për të qenë protagonistë si në Premier League ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.