Duka i Sussex, Princ Harry, ka mbërritur në mënyrë të papritur në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në kuadër të një misioni humanitar për rehabilitimin e ushtarakëve të plagosur nga lufta. I shoqëruar nga ekipi i Invictus Games Foundation, vizita e tij vjen pas një ftese zyrtare nga qeveria ukrainase.
Për arsye sigurie, detajet e axhendës nuk janë bërë publike, por burime zyrtare konfirmojnë se Princi pritet të prezantojë iniciativa të reja për mbështetjen e të plagosurve, veçanërisht në fushën e rehabilitimit fizik dhe psikologjik.
“Ne nuk mund ta ndalim luftën, por mund të bëjmë gjithçka që të ndihmojmë procesin e rimëkëmbjes,” – u shpreh Harry gjatë qëndrimit në Kiev.
Duka theksoi se qëllimi i vizitës është të mbajë të gjallë ndërgjegjësimin për pasojat e rënda të konfliktit mbi popullsinë civile dhe ushtarake. Iniciativa nisi pas një takimi të rastësishëm në SHBA me drejtuesen e Qendrës së Traumës Superhumans në Lviv, që trajton ushtarakët e plagosur. Me miratimin e bashkëshortes Meghan Markle dhe qeverisë britanike, Harry vendosi të realizonte këtë udhëtim të ndjeshëm dhe të rëndësishëm.
Ndërkohë, fondacioni bamirës i çiftit “Archewell” ka njoftuar një donacion prej 500 mijë dollarësh për projekte që ndihmojnë fëmijët e plagosur nga lufta në Ukrainë dhe Gaza – përfshirë evakuime mjekësore dhe pajisje protetike.
Gjatë qëndrimit në Ukrainë, Duka i Sussex do të vizitojë Muzeun Kombëtar të Historisë së Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore dhe do të zhvillojë takime me rreth 200 veteranë, si dhe me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko.
Vizita e tij në Kiev pason një qëndrim të shkurtër në Britaninë e Madhe, ku u takua me të atin, Mbretin Charles, për herë të parë pas më shumë se një viti.