Neuer drejt rikthimit, ja pse Gjermania ka ende nevojë për të

- Bota Sot

Neuer drejt rikthimit, ja pse Gjermania ka ende nevojë për të

Gjermania po kalon një periudhë të vështirë, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Botërorin 2026.

Në këtë krizë rezultatesh dhe pasigurish, gjithnjë e më shumë tifozë e analistë po kërkojnë rikthimin e Manuel Neuer, portierit legjendar që po i afrohet të 40-ave.

Kapiteni i Bayern Munich u tërhoq nga kombëtarja pas Europianit 2024, moment kur trajneri Julian Nagelsmann ia besoi portën Marc-André ter Stegen. Ky i fundit, pas një dekade si zëvendës luksi, më në fund mori statusin e titullarit, por dëmtimet e njëpasnjëshme e lanë jashtë dhe dobësuan rëndë pozitat e tij. Aktualisht, te Barcelona ka rrëshqitur deri në rolin e portierit të tretë.

Në Gjermani, debati është ndezur. Një sondazh i gazetës Bild, me mbi 75 mijë votues, tregoi qartë dëshirën e publikut: 49% kërkojnë rikthimin e Neuer, ndërsa vetëm 20% mbështesin Ter Stegen. Edhe agjenti i ‘gardianit’ bavarez, Thomas Kroth, ka konfirmuar se klienti i tij është i hapur për t’u rikthyer nën fanellën e “Die Mannschaft”.

Mbështetja nuk vjen vetëm nga tifozët. Legjenda të futbollit gjerman si Lothar Matthäus dhe Bastian Schweinsteiger e shohin të domosdoshëm rikthimin e Neuer për stabilitetin e skuadrës. Vetë portieri pritet të marrë një vendim në javët e ardhshme, por gjithnjë e më shumë duket se rikthimi i tij mund të jetë karta e fundit e Gjermanisë për të shpëtuar fushatën e kualifikueseve drejt Botërorit 2026.



Lexoni të gjitha në Bota Sot