Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka njoftuar për zbulime të jashtëzakonshme në vendin arkeologjik të Hisarit të Suharekës.
Nga gërmimet e vazhdueshme të Institutit Arkeologjik të Kosovës, janë gjetur prova jetësore të kultyrës së Eneolitit të Vonë dhe pranisë iliro- dardane në disa zona të vendit.
Sipas Çekut, këto janë zbulime të rralla.
“Zbulime të jashtëzakonshme po dalin në dritë në vendin arkeologjik të Hisarit në Suharekë, ku Instituti Arkeologjik i Kosovës po kryen gërmime të vazhdueshme.
Gjetjet zbulojnë prova jetësore të kulturës së Eneolitit të Vonë dhe pranisë iliro-dardane në disa zona të vendit. Ndër zbulimet më të bujshme janë kallëpet e rralla që dikur përdoreshin për prodhimin e zbukurimeve, së bashku me qeramikën që vërteton vazhdimësinë e pandërprerë të popullsisë iliro-dardane gjatë Epokave të Bronzit dhe Hekurit”, ka shkruar Çeku.
Tutje, ai ka shtuar se ekspertët e përshkruajnë Hisarin si asgjë më pak se një arkiv prehistorik i Kosovës dhe Ballkanit, një vend sekretet e të cilit po transformojnë njohuritë tona për qytetërimin e lashtë në rajon.