Kristian Kivu ka zgjedhur rrugën e kujdesit për ndeshjen më të rëndësishme të fillimit të sezonit.
Në “Allianz Stadium”, Interi do të paraqitet me një plan të thjeshtë: stabilitet në mbrojtje, ekuilibër në mesfushë dhe shfrytëzim i momenteve të duhura për të goditur.
Sipas të dhënave nga Apiano Xhentile, tekniku rumun do të mbështetet te skema klasike 3-5-2, me një ndryshim të vetëm në krahasim me sezonin e kaluar: vendosja e Akanzhit në qendër të mbrojtjes, përkrah Açerbit dhe Bastonit.
Një zgjedhje që synon të përforcojë repartin ndaj sulmit juventin.
Në krahë pritet të konfirmohen Dimarko dhe Dumfris, ndërsa mesfusha do të udhëhiqet nga Barela e Çalhanoglu. Për rolin e tretë balotazhi është mes Mkhitaryan dhe Suçiç, me shanset e ndara në mënyrë të barabartë.
Alternativat Fratesi e Diof mbeten gati për të hyrë nga stoli, për të sjellë freski dhe shtytje ofensive. Kivu është i vetëdijshëm se humbja me Udinesen ka rënduar ambientin, ndaj kërkon reagim të menjëhershëm.
Me tre pikë më pak se Juventus, Interi nuk mund të lejojë hap fals edhe pse kampionati është ende në fillimet e tij. “Derbi i Italisë” është gjithmonë një provë e madhe, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e skuadrës.
Strategjia e trajnerit do të jetë “konservative”: mbrojtje e kujdesshme, kontroll i mesfushës dhe përdorimi i lojtarëve të shpejtë për të prishur ekuilibrin në momente të caktuara. Qëllimi është të shmangen rreziqet dhe të merret rezultat pozitiv, duke ruajtur ambicien për të qenë protagonistë në luftën për titull. Me këtë plan, Interi i Kivut futet në derbin ndaj Juventusit me synimin e qartë për të treguar karakter dhe për të rifituar besimin pas një fillimi të vështirë.