Tefik Çanga nga Tërni është hit i edicionit të ri në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.
Debutuesi në këtë rang garash po mahnit të gjithë me lojëra dhe rezultate të mira në gjashtë ndeshjet e para, 4
fitore, 1 barazim e 1 humbje, duke u renditur në vend të dytë me 13 pikë (14:8 goldallimin), tre më pak se lideri Vëllaznimi Gjakovës.
Tërni është një fshat simpatik dhe rreth 10 kilometra larg qytetit të Ferizajt.
Fshat që gjithmonë është shquar me aktivitete sportive dhe Tefik Çanga është klub që ka treguar organizim e sakrificë edhe në vitet e 90-ta në rezistencë ndaj regjimit serb.
Sherif Topalli, ish futbollist i mirënjohur, tani kryetrajner i Tefik Çangës, me punën që ka bërë në vazhdimësi ka ngritur nivelin e skuadrës dhe tani po jep frytet e veta në secilën përballje.
Fitorja e djeshme me rezultat 4:1 në konak të KEK-ut, ishte dëshmia më e mirë se rezultatet e deritashme nuk janë të rastësishme por fryt i angazhimit, punës dhe cilësisë së lojës.
“Së pari dua të përgëzoj lojtarët dhe gjithë stafin dhe kryesin për këtë start të mbarë në Ligën e Parë.
Me 6 ndeshje kemi arritur 13 pikë, 4 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje, që është një bilanc shumë i mirë për një skuadër që sapo është inkuadruar në Ligën e Parë”, thotë Topalli për gazetën kombëtare “Bota sot”..
Kryetrajneri i Tefik Çankës thotë se kanë bërë një punë të madhe në kuadër të përgatitjeve dhe kjo po dëshmohet edhe me rezultate.
Topalli e pranon se ka tejkaluar edhe pritshmëritë të paktën në 6 javët e para në një garë shumë të fortë dhe mes skuadrave me renome si Trepça, Vëllaznimi, Liria etj.
“Sinqerisht, kemi punuar fortë për një fillim pozitiv, por duhet pranuar se djemtë kanë treguar karakter, disiplinë dhe mbi të gjitha besim në vetvete, kështu që mund të them se deri diku kemi tejkaluar pritshmëritë fillestare”, nënvizoi Topalli.
Synimet e skuadrës nga Tërni janë që të rrisin nivelin e lojës dhe të shënojnë rezultate të mira javë pas jave.
“Synimet tona në vazhdim mbeten të qarta: të konsolidojmë ekipin në këtë nivel, të rrisim performancën javë pas jave dhe të jemi sa më konkurrues.
Nuk duam të ndalemi vetëm te rezultatet e para, por të ndërtojmë një identitet të fortë loje dhe të qëndrojmë të qëndrueshëm gjatë gjithë kampionatit.
Objektivi ynë është që Tefik Çanga të bëhet një emër i respektuar dhe stabil në ligën e parë”, ka përfunduar Topalli.
Tefik Çanga tani përgatitet për derbin e radhës, ku do të ndeshen të martën (15.00) në Ferizaj ndaj Vushtrrisë.