Rumania thërret ambasadorin rus pas shkeljes së hapësirës ajrore nga një dron

- Bota Sot

Rumania thërret ambasadorin rus pas shkeljes së hapësirës ajrore nga një dron

Rumania ka reaguar me forcë ndaj hyrjes së një droni rus në hapësirën e saj ajrore, duke thirrur ambasadorin rus në Bukuresht, Vladimir Lipaev, për të protestuar zyrtarisht.

Ministria e Jashtme rumune e cilësoi incidentin si një shkelje të sovranitetit dhe një akt të papërgjegjshëm që rrezikon sigurinë rajonale.

Sipas autoriteteve rumune, droni që u identifikua si i prodhimit gjerman dhe i përdorur nga Rusia, orbitoi për rreth 50 minuta mbi zonën kufitare me Ukrainën, pa fluturuar mbi zona të populluara.

“Nuk presim të arrijmë asgjë specifike nga ky diskutim, vetëm të komunikojmë protestën e Rumanisë shumë qartë”, shtoi Ministrja e Punëve të Jashtme.

Dy avionë luftarakë F-16 u ngritën për ta gjurmuar, ndërsa aleatët gjermanë mbështetën operacionin me avionë Eurofighter Typhoon.

Ministrja e Jashtme Oana Toiu deklaroi se do të ngrejë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe sanksioneve.

Ajo theksoi se veprimet e Rusisë përfaqësojnë një sfidë të re për sigurinë në rajonin e Detit të Zi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se po “teston” Rumaninë dhe po përpiqet të “sjellë luftën” në Poloni dhe shtetet baltike.

Edhe Polonia, anëtare e NATO-s, ka raportuar shkelje të ngjashme nga dronët rusë, duke ngritur avionë luftarakë në përgjigje të sulmeve, transmeton RTSH.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e quajti veprimin rus një kërcënim të pamatur dhe shkelje të papranueshme të sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së, duke shprehur solidaritet me Rumaninë.

Rusia nuk ka komentuar ende mbi incidentin, por më herët ka mohuar se ka synuar Poloninë. Ndërkohë, parlamenti rumun ka miratuar një ligj që i lejon vendit të rrëzojë dronët që shkelin hapësirën ajrore kombëtare.

Kjo është thirrja e dytë e Lipaev në selinë e Ministrisë së Jashtme. Ai u thirr gjithashtu më 12 shtator, për të përcjellë dënimin e tij të fortë të shkeljes së hapësirës ajrore polake nga dronët rusë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot