Allegri shpjegon shpërthimin e tij në ndeshjen ndaj Bolonjës

- Bota Sot

Allegri shpjegon shpërthimin e tij në ndeshjen ndaj Bolonjës

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka komentuar pas fitores 1-0 të skuadrës së tij ndaj Bolonjës në “San Siro”, ku përveç tre pikëve, ndeshja u shoqërua me tensione dhe emocione të forta.

Milan u përball me vështirësi për ta thyer barazimin, duke goditur katër herë shtyllën, por Luka Modric bëri diferencën me një asist për Alexis Saelemaekers, i cili i dha kuqezinjve fitoren minimale.

“Luka është një lojtar i jashtëzakonshëm, një kampion i madh dhe një djalë i përulur. Ai e di paraprakisht ku do të shkojë topi dhe është kënaqësi ta shikosh”, u shpreh Allegri pas ndeshjes për DAZN Italia.

Tekniku italian u ndal edhe te etika e punës së ekipit: “Ishte një ndeshje që duhej ta fitonim. Kemi mbajtur portën të paprekur për herë të dytë radhazi dhe kemi treguar unitet. Ky grup nuk ankohet dhe synimi ynë është kthimi në Ligën e Kampionëve.”

Në minutat e fundit pati polemika të forta, pasi penalltia e dhënë për një faull ndaj Christopher Nkunku u anulua nga VAR. Allegri shpërtheu në protesta ndaj gjyqtarit të katërt dhe u përjashtua nga loja. “Ishte penallti. Në atë moment kisha disa gjëra për t’i thënë gjyqtarit të katërt. Për fat të mirë, xhaketa më shpëtoi,” tha ai me shaka.

Përveç tensioneve, kuqezinjtë morën edhe lajme të këqija nga infermieria. Mike Maignan dhe Strahinja Pavlovic dolën të dëmtuar me probleme muskulore, ndërsa Rafael Leao mbetet ende jashtë. “Maignan nuk besoj se do të jetë gati kundër Udineses, por Terracciano ka debutuar dhe kemi edhe Torrianin. E rëndësishme është të punojmë si skuadër,” deklaroi Allegri.

Në mesfushë, Rabiot, Loftus-Cheek, Fofana dhe Modric sollën më shumë lëvizje dhe energji, diçka që sipas Allegrit është thelbësore: “Kur kundërshtari përpiqet të të markojë, lëvizja është ajo që bën diferencën.”

Milan arkëtoi tre pikë të vlefshme, por humbi disa lojtarë kyç në prag të sfidave të ardhshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot