Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka një dilemë të madhe përpara sfidës së Ligës së Kampionëve ndaj Ajaxit në Amsterdam. Në qendër të saj është portieri Yann Sommer, i cili pësoi katër gola nga katër goditje në portë në humbjen ndaj Juventusit fundjavën e kaluar.
Sipas CalcioMercato, Chivu po mendon seriozisht ta ulë në stol portierin zviceran dhe t’i japë hapësirë spanjollit Josep Martinez, i cili deri tani ka luajtur vetëm në 10 ndeshje për zikaltërit. Vendimi i mundshëm vjen edhe si pasojë e filozofisë së re te Interi: nuk ka më lojtarë të “paprekshëm”.
Në Derby d’Italia u pa qartë – Federico Dimarco nisi nga stoli, Lautaro Martinez luajti vetëm një pjesë dhe Nicolo Barella nuk ishte në formacion.
Martinez, i transferuar verën e kaluar nga Genoa për rreth 13.5 milionë euro plus bonuse, shihet si zgjidhje afatgjatë në portë. Ndërkohë, kontrata e Sommer skadon në verën e ardhshme dhe në moshën 36-vjeçare ai po tregon shenja rënieje, me reflekset që nuk janë më në nivelin e dikurshëm.
Sfida ndaj Ajaxit është vendimtare për Interin, që kërkon të rikuperohet pas humbjes në ndeshjen hapëse të grupit ndaj PSG-së. Pikërisht kjo situatë mund të detyrojë Chivun të rrezikojë me një ndryshim të madh në portë.
Nëse Martinez e shfrytëzon shansin, Interi mund të fillojë një tranzicion të natyrshëm drejt një epoke të re mes shtyllave.