Tudor: Nuk ka kohë për festë

- Bota Sot

Tudor: Nuk ka kohë për festë

Pas fitores spektakolare 4:3 ndaj Inter-it në “Derbin e Italisë”, për Juventusin e Igor Tudor-it vjen menjëherë një tjetër sfidë e madhe: debutimi në Champions League kundër Borusia Dortmund.

Ndeshja e parë e grupit do të luhet të martën në “Allianz Stadium”, ku bardhezinjtë do të provojnë të konfirmojnë momentin pozitiv. Trajneri kroat mendon për disa ndryshime në formacion.

Kambiaso, i pezulluar në kampionat, do të rikthehet nga minuta e parë, ndërsa Dejvid pritet të marrë vendin e Vlahoviç në sulm. Në dyshim mbetet Konseisao, ndërsa Bremer mund të pushohet për t’u menaxhuar më mirë pas mungesës së gjatë sezonin e kaluar.

“Nuk mund të festojmë gjatë – tha Tudor në konferencë. – Pas dy ditësh duhet të rikuperojmë forcat. Me Inter-in nuk ishim në nivelin tonë, por fituam, dhe ky ishte një sinjal pozitiv. Dortmund është skuadër e fortë, me organizim dhe lojtarë cilësorë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por edhe e bukur, sepse luajmë Champions në shtëpinë tonë.” Trajneri vuri theksin te menaxhimi i grupit: “Do të vendosim nesër për Konseisaon. Duhet të zgjedhim lojtarët e duhur sepse çdo detaj mund të bëjë diferencën. Në Champions ndryshon niveli, ekipet luajnë më hapur, por gjithashtu janë më të forta.”

Fjalën e mori edhe kapiteni Lokateli, i cili foli për emocionet e skuadrës: “Të dëgjosh himnin e Champions-it në Torino do të jetë diçka speciale. Vijmë me moral të lartë pas fitores me Inter-in, edhe pse kemi bërë disa gabime në mbrojtje. Kundër Dortmund duhet të jemi agresivë dhe të qëndrojmë vetvetja.”

Mesfushori u ndal edhe te episodi i sezonit të kaluar me penalltinë ndaj Venezia-s që i dha Juventusit kualifikimin në Champions: “Ishte moment i rëndësishëm, por merita është e gjithë grupit.

Sivjet jemi më të bashkuar, dhe kjo është forca jonë.” Në përfundim, mes entuziazmit për fillimin e Champions-it dhe vetëdijes për vështirësitë që i presin, Juventusi përgatitet të zbresë në fushë për një tjetër provë të madhe. Sfida ndaj Dortmund pritet të jetë testi i parë serioz evropian i epokës Tudor.



Lexoni të gjitha në Bota Sot