Inter kërkon reagim ndaj Ajaxit

- Bota Sot

Inter kërkon reagim ndaj Ajaxit

Pas humbjeve radhazi kundër Udineses dhe Juventusit, Interi ndodhet përballë një prove të rëndësishme nesër mbrëma, në Amsterdam, ku nuk lejohen hapa të tjerë falsë për të shmangur krizën.

Sfida kundër Ajax-it do të shënojë debutimin e Cristian Chivu si trajner në Champions League, me rumunin që foli sot në konferencën për shtyp.

I pyetur mbi eksperiencën e tij si ish-lojtar i Ajax-it dhe mundësinë për të aktivizuar ndonjë të ri në formacion, tekniku rumun tha:

"Jam mirënjohës për gjithçka që kam përjetuar në Amsterdam. Ishte një etapë që më ndihmoi të bëja një hap të madh në karrierë. Të rinjtë tanë i keni parë tashmë, edhe pse vetëm me shpërthime në disa ndeshje."

Sa i përket gjendjes mendore të skuadrës, Chivu theksoi se Interi ka nevojë për pak më shumë vazhdimësi dhe rezultate pozitive:

"Kthehemi gjithmonë te e njëjta temë. Për mua skuadra është e fortë dhe e ka treguar edhe kundër Juventusit. Nëse shohim vetëm rezultatin, është e lehtë të akuzojmë.

Ne e dimë çfarë do të thotë të humbasësh derbin e Italisë, por duhet të shohim edhe aspektet pozitive. Mungon shumë pak për t’i dhënë vazhdimësi lojës sonë dhe për të rritur moralin e ekipit. Çështja lidhet vetëm me rezultatet."

Me këtë përballje të parë në arenën më të madhe evropiane si trajner, Chivu synon ta rikthejë Interin në rrugën e fitoreve dhe të shmangë presionin që është shtuar pas dy dështimeve në Serie A.



Lexoni të gjitha në Bota Sot