Benatia shpërthen pas ndeshjes Real – Marseille

- Bota Sot

Benatia shpërthen pas ndeshjes Real – Marseille

Pas humbjes 2-1 të Olympique Marseille ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabéu”, drejtori sportiv i francezëve, Mehdi Benatia, ka reaguar ashpër ndaj penalltisë së dhënë në minutat vendimtare të takimit. Episodi i kujtoi atij një nga momentet më të dhimbshme të karrierës, eliminimin e Juventusit nga Champions në vitin 2018.

“Është një penallti shumë e vështirë për t’u pranuar, por e kam përjetuar saktësisht 7 vite më parë. Kam të njëjtën ndjesi edhe për kontaktin e Facundo Medina me Vinicius,” u shpreh Benatia.

Aksioni i diskutueshëm erdhi kur Medina tentoi të ndalonte sulmuesin brazilian dhe topi goditi krahun e tij të majtë, i shtrirë larg trupit, teksa ai rrëshqiti në tokë. Arbitri boshnjak Irfan Peljto akordoi penallti, duke zbatuar interpretimin aktual të rregullores për prekjen e topit me dorë.

Benatia e lidhi këtë rast me atë të prillit 2018, kur ndërhyrja e tij ndaj Lucas Vazquez në minutat shtesë të sfidës Real–Juventus u konsiderua faull nga arbitri anglez Michael Oliver, duke sjellë eliminimin dramatik të bardhezinjve.

“Historia përsëritet,” shtoi ish-mbrojtësi, i bindur se vendimet e tilla vazhdojnë të ndryshojnë fatin e ndeshjeve të mëdha.



Lexoni të gjitha në Bota Sot