Edhe pse merkatoja sapo ka përfunduar, në shtëpinë e Juventusit po mendohet tashmë për të ardhmen.
Vera e ardhshme mund të sjellë disa afrime të bujshme me parametër zero dhe mes emrave që qarkullojnë spikat ai i Bernardos Silvës.
Sipas Tuttosport, trekuartisti i Manchester City është ende vetëm një ide, por drejtuesit bardhezinj me në krye drejtorin e përgjithshëm Damien Comolli mund të nisin së shpejti kontaktet me menaxherët e portugezit për të parë nëse operacioni është i realizueshëm.
Kontrata e Bernardos skadon më 30 qershor të vitit të ardhshëm dhe deri tani nuk ka negociata konkrete për rinovim. Në Angli, City i kushton shumë rëndësi moshës së lojtarëve kur bëhet fjalë për zgjatje kontratash. Portugezi mbushi 31 vjeç muajin e kaluar, një moshë ende e mirë për futbollin elitar, por e ardhmja e tij në Premier League duket e pasigurt.
Bernardo Silva, do të ishte një përforcim i madh për mesfushën e Juventusit, duke rritur konkurrencën dhe cilësinë në skuadër. Për më tepër, një lëvizje e tillë do të ishte edhe një përgjigje ndaj Milanit dhe Napolit, që këtë verë sollën yje si Luka Modric dhe Kevin De Bruyne.
Megjithatë, konkurrenca për portugezin është e fortë.
Në Portugali, kandidati për president të Benficas, Joao Noronha Lopes, ka deklaruar se do të tentojë ta transferojë që në janar.
Për momentin mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një premtim elektoral apo një përpjekje reale për të rikthyer ish-yllin e klubit.