Paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Kosovë

- Bota Sot

Paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit D.N., i dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin D.N., raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenit 86 dhe 87 të protokollit shtesë I të vitit 1977, Konventës së Gjenevës e vitit 1949, duke vepruar në përgjegjësin komanduese, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandaloj apo ndëshkoj kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serb, të kryera me datë 30.04.1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, i pandehuri nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për të parandaluar vrasjet.

“Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme, e këto veprime inkriminuese vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nga të cilat dëshmi vërtëtohet edhe fakti se i pandehuri D.N. ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, në kohën e kryerjes së veprës penale”, njofton Gjykata.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot