Nuk e pati të lehtë të linte këtë fanelë. Kristian Asllani e mendoi veten si një yll të vërtetë të Interit, një ëndërr që nuk u realizua, edhe pse po e kupton se nuk është fundi I karrierës së tij sportive.
Pas 99 ndeshjeve me zikaltërit, 4 golave të shënuara e 5 asisteve, pas trofeve si titulli kampion, Kupa e Italisë e dy Superkupa italiane, ai u detyrua të largohej për tek Torino, pasi refuzoi me vendosmëri që të shkonte në Spanjë.
Kanë kaluar vetëm dy ndeshje, dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare sikur e ka marrë një gjysmë revanshi.
E përditshmja kryesore në Apenine, “La Gazeta delo Sport”, kritikon Interin për largimin e 7 lojtarëve të cilët tani po luajnë shumë mirë në skuadrat e reja.
Pavar, Zalevski, Taremi, Arnautoviç, Stankoviç apo Asllani.
Për 23-vjeçarin shqiptar, pas fitoren 1-0 të Torinos në fushën e Romës, “La Gazeta shkruan” se ai nuk shihet shumë në lojë, por ndihet jashtëzakonisht shumë, se është truri i përhershëm i Torinos, i pazëvendësueshëm!
Në vetëm dy ndeshje me “granatët”, në krah të shokut të tij në kombëtare, Ardian Ismajli, ai është titullar ashtu si mbrojtësi kuqezi, dhe ka luajtur 161 minuta, pra mbi 80 minuta për çdo sfidë.
Thuajse gjatë gjithë kohës. Natyrisht, te Torino vështirë të luftohet për tituj si tek Interi, dhe Championsin ndoshta duhet ta harrojë, por për shqiptarin e ri rëndësi ka që të luajë vazhdimisht dhe të ndihet i vlerësuar, madje i pazëvendësueshëm.