Pas fitores bindëse në derbin kundër Manchester United, entuziazmi është rikthyer fuqishëm në shtëpinë e Manchester City.
Trajneri Pep Guardiola, pavarësisht disa hapave fals në fillim të sezonit, e sheh skuadrën gati për një tjetër aventurë emocionuese në Champions League. Sfida e parë do të jetë kundër Napolit të Antonio Contes, kampion i Italisë.
Për Guardiolën kjo është gjithashtu një ndeshje e veçantë, pasi do të rikthehet përballë Kevin De Bruyne, i cili në verë u transferua te Napoli: “E dija që do të përshtatej menjëherë. Për mua nuk është aspak surprizë,” tha tekniku katalanas.
Guardiola foli edhe për ndikimin e Scott McTominay te Napoli, ish-mesfushori i Manchester United: “Është në formë të shkëlqyer dhe pati një rol kyç në fitoren e kampionatit. Nuk më befason as fakti që Conte po bën mirë, ai kudo që ka qenë ka arritur rezultate.
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, për këtë s’kam dyshim.”
Statistikat e kaluara tregojnë se City gjithmonë e ka pasur të vështirë kundër ekipeve të drejtuara nga Conte. Guardiola e pranon këtë, por shikon vetëm përpara:
“Po, e kemi vuajtur, por sot është një tjetër histori. Kam shumë respekt për Conten, por prioriteti ynë është gjithmonë ndeshja e radhës”.