Ndeshja mes Manchester City-t dhe Napolit nuk është thjesht rikthimi i kampionëve të Italisë në Champions League, por edhe një tjetër kapitull i një prej rivaliteteve më interesante të futbollit modern: Pep Guardiola kundër Antonio Conte.
Dy trajnerë me filozofi krejtësisht të ndryshme, që prej më shumë se 15 vitesh kanë dëshmuar se ekzistojnë shumë rrugë drejt suksesit. Conte, me organizimin e tij strikt dhe stilin e “hekurt”, përballë Guardiolës, i cili i jep liri krijuese talenteve të tij dhe shihet si “filozofi” i lojës. Dy botë që përplasen në të njëjtin fushëbetejë.
Bilanci mes tyre: Conte në avantazh
Deri tani, Guardiola dhe Conte janë përballur 7 herë, gjithmonë në Premier League. Kjo do të jetë sfida e parë në Champions, në stadiumin “Etihad”. Statistikat flasin në favor të italianit: Conte ka fituar 4 herë kundrejt 3 sukseseve të Guardiolës, duke qenë një nga të paktët trajnerë me përqindje më të lartë fitoreje ndaj Pep-it.
Fillimi i rivalitetit, viti 2016
Historia nisi në vitin 2016, kur Guardiola mori drejtimin e Manchester City-t, ndërsa Conte u ul në stolin e Chelseat. Në sezonin e parë ishte italiani që dominoi: fitore 1-3 në “Etihad” dhe 2-1 në “Stamford Bridge”, duke u shpallur kampion në fund të vitit.
Një vit më pas erdhi hakmarrja e Pep-it, me dy fitore 1-0 dhe titull kampioni për “Citizens”. Rivaliteti u rikthye më vonë me Tottenham-in e Conte-s, ku italiani arriti të befasojë sërish: fitore 2-3 në Manchester dhe 1-0 në Londër (falë golit të Harry Kane).