KF Arsimi sot në stadiumin e qytetit në Gostivar do të mirëpret Vardarin, në një nga ndeshjet më interesante të javës së 6-të. Kjo ndeshje ka zgjuar shumë interesim në anën e Pollogut, ashtu që pavarësisht se ndeshja po luhet në ditë pune, në shkallët e stadiumit pritet një numër i madh i tifozëve “verdhezi”.
Pikërisht “Armata Verdhezi”, sipas Drejtorit Gjeneral, Ramadan Saliu, duhet të jetë lojtari i 12-të në ndeshjen e sotme. Ata duhet përkrahur për gjatë 90-të minutave 11 luanat në fushë, 11 luanat që në vete bartin një shpirt luftarak që nuk thyhet kurrë.
Ndaj, sipas tij ndeshja e sotme, nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por se në të duhet treguar karakter, unitet dhe forcë, me qëllim për të shkruar një faqe të re në historinë e klubit nga Çegrani.
“Dashamirë të sportit dhe mbi të gjitha ju, Armata Verdh e Zi – forca më e madhe e klubit tonë,
Para nesh qëndron një sfidë e madhe, një ndeshje me një kundërshtar me histori siç është Vardari i Shkupit. Por unë dua të jem i qartë: ne nuk kemi ardhur deri këtu për t’u tërhequr apo për t’u frikësuar nga emra të mëdhenj. Ne jemi këtu për të treguar fytyrën e vërtetë të KF Arsimit – një klub që rritet me çdo ndeshje, që lufton me çdo top dhe që kurrë nuk harron se për kë luan.
Djemtë tanë janë përgatitur me seriozitet, me disiplinë dhe mbi të gjitha me zemër. Ata e dinë shumë mirë se çdo hap në fushë është përgjegjësi, sepse pas tyre qëndron një fshat i tërë, një komunitet i tërë, mijëra zemra që rrahin për të njëjtën kauzë: Arsimin.
Të dashur lojtarë, dua t’ju them publikisht: ju nuk do të jeni vetëm asnjë minutë. Në çdo duel, në çdo goditje, do të ndjeni fuqinë e tifozëve tanë që do të mbushin tribunat. Çdo këngë e tyre është frymëzim, çdo flamur i ngritur është besim se ju mundeni.
E di që përballë kemi një kundërshtar të fortë, por ne kemi atë që ata nuk e kanë: Armata Verdh e Zi, tifozët tanë të mrekullueshëm, dhe një shpirt luftarak që nuk thyhet kurrë.
Prandaj, sot nuk është thjesht një ndeshje futbolli. Sot është një ditë për të treguar karakter, për të treguar unitet dhe për të shkruar një faqe të re në historinë e klubit tonë.
Forca djem, forca Arsimi!
Bashkë me ju, bashkë për fitore!”, tha Ramadan Saliu.