Vllaznia si mace e zezë për Teutën

- Bota Sot

Vllaznia si mace e zezë për Teutën

Nëse ka një ekip ndaj të cilit ka dominuar dhe ka statistika shumë pozitive në sezonet e fundit, për Vllazninë është Teuta.

Shkodranët nuk humbasin ndaj bregdetarëve prej 4 vitesh, ku për herë të fundit janë mposhtur 3-0 në datën 28.08.2021.

Dhe kjo ka qenë një ndeshje e vlefshme për Superkupën e vitit 2021, ku Teuta e drejtuar asokohe nga ana e Edi Martinit triumfonte falë golave të Aleksit, Grudës dhe Plakut.

Por, që nga ai moment gjithçka më pas ka folur në favorin e shkodranëve. Nga ajo ndeshje mes Vllaznisë dhe Teutës janë luajtur plot 16 takime të tjera. Të gjitha përballje vetëm në kampionat, pasi fati nuk i ka parë kundër dy skuadrat në kompeticionin e kupës së Shqipërisë.

Kështu në këto 16 ndeshje, kuqeblutë kanë pasur një dominancë ndaj durrsakëve, duke llogaritur kështu 9 fitore dhe 7 barazime në duelet mes tyre. Statistika që tregojnë qartë për supermacinë e shkodranëve në vitet e fundit ndaj Teutës, që ka 4 vite që nuk fiton një ndeshje ndaj Vllaznisë.

Me këta të fundit që janë shndërruar në një “mace të zezë” për bregdetarët. Edhe në edicionin e shkuar Vllaznia mori 3 fitore dhe 1 barazim në përballjet me Teutën.

Ku bien në sy edhe dy suksese në shifrat 1-2 dhe 1-3 në “Niko Dovana” të 9 herë kampionëve të vendit tonë.

Një traditë të tillë dhe pasurimin e këtyre statistikave, kuqeblutë do kërkojnë t’i përforcojnë edhe këtë të dielë. Ku sërish do kenë përballë Teutën, një ndër “pretë” e preferuara të sezoneve të fundit për shkodranët.



Lexoni të gjitha në Bota Sot