Shpërthime të mëdha 1300 km nga fronti - ukrainasit sulmuan dy rafineri ruse

- Bota Sot

Shpërthime të mëdha 1300 km nga fronti - ukrainasit sulmuan dy rafineri ruse

Dronët ukrainas sulmojnë dy objekte energjetike kyçe në territorin rus.

Dronët ukrainas sulmuan mëngjesin e sotëm dy objekte energjetike kyçe thellë në territorin rus - një kompleks petrokimik në Baskurtostan dhe një rafineri nafte në rajonin e Volgogradit.

Janë raportuar shpërthime të mëdha dhe ndërprerje të funksionimit, shkruan kyivindependent.

Sulmi i parë ishte drejtuar ndaj Gazprom Neftekhim Salavat, një prej objekteve më të mëdha për përpunimin e naftës dhe petrokimisë në Rusi, i vendosur në Republikën e Baskurtostanit, rreth 1300 kilometra nga vija e frontit në Ukrainë.

Një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) konfirmoi se dronët e tyre me rreze të gjatë veprimi goditën njësinë për përpunimin e naftës bruto ELOU-AVT-4, duke shkaktuar një “shpërthim të fuqishëm”.

Guvernatori lokal, Radij Kabirov tha se objekti u godit nga dy dronë dhe shpërtheu zjarr, por shtoi se nuk ka raportime për viktima. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet tym i zi i dendur duke u ngritur mbi kompleks.

Në një sulm të veçantë gjatë natës, Forcat Speciale të Ukrainës goditën rafinerinë e naftës në Volgograd, duke e detyruar të ndërpresë operacionet. Kjo rafineri, e cila ndodhet rreth 450 kilometra nga vija e parë, ka rol kyç në furnizimin me karburant të ushtrisë ruse.

Bëhet fjalë për prodhuesin më të madh të derivateve të naftës në Distriktin Federal Jugor të Rusisë, i cili përpunon 15.7 milionë tonë naftë bruto në vit, që përfaqëson 5.6 për qind të kapaciteteve të përgjithshme të përpunimit të vendit.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja kundërajrore ka rrëzuar 43 dronë ukrainas gjatë natës mbi disa rajone, përfshirë 11 mbi Volgogradin, por nuk përmendi sulmin në Baskurtostan në raportin e saj.

Gjatë vitit të fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj industrisë së naftës ruse. Kievi i konsideron rafineritë ruse si objektiva legjitime ushtarake, pasi ato financojnë dhe furnizojnë makinerinë ushtarake të Moskës.

Këto sulme kanë shkaktuar ndërprerje në prodhim dhe mungesa karburanti në mbarë Rusinë.

Mbështetësit e Ukrainës dhe të mbrojtjes së saj nga agresioni rus i quajnë sulmet ndaj rafinerive ruse, “sanksionet më efektive”, në rrjetet sociale prej muajsh. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot