Ndeshja me Serbinë, FSHF iu mbyll gojën lojtarëve! Heshtje absolute para sfidës së shumëpritur

- Bota Sot

Ndeshja me Serbinë, FSHF iu mbyll gojën lojtarëve! Heshtje absolute para sfidës së shumëpritur

Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme, ndaj Serbisë në Leskovac, nga e cila mund të përcaktohet rrugëtimi ynë në kualifikueset e Kupës së Botës.

Kjo ndeshje merr një rëndësi më të veçantë edhe për shkak të problemeve politike mes dy vendeve, por gjithashtu edhe ndaj situatës së krijuar 11 vite më parë, kur Shqipëria fitonte në tavolinë ndaj Serbisë, për shkak të trazirave që tiofozeria vendase shkaktoi pas dronit me Shqipërinë Etnike në stadium.

Sakaq, FSHF duket se ka marrë masa shumë më herët për këtë sfidë dhe është interesuar mirë që futbollistët të mos kenë asnjë koment për ndeshjen. “Panorama Sport”, ka mësuar se futbollistëve të Kombëtares u është komunikuar që të shmangin intervistat dhe nëse japin intervista, kategorikisht janë të ndaluar të flasin për Kombëtaren dhe për ndeshjen me Serbinë. një vendim i tillë, duket se është marrë nga FSHF për të mos nxehur më shumë situatën pasi shpesh herë, emocionet e momentit bëjnë që futbollistët të japin edhe deklarata me nota patriotike, gjë e cila mund të merret si provokim nga ana serbe. Por, njëkohësisht FSHF është ajo që promovon shpesh herë që futbolli nuk duhet ngatërruar me problemet politike, aq më tepër që Shqipëria së bashku me Serbinë, do të organizojnë Europianin e U21 në vitin 2027, gjë e cila shkon në të kundërt me vendimin e fundit për të censuruar futbollistët nga e drejta për t’u shprehur.

E SHKUARA ME TIFOZËT- Në fakt, kjo nuk është hera e parë që FSHF i trembet ndeshjes me Serbinë, pasi vetëm pak muaj më parë kur ndeshja u luajt në Tiranë, u “shpik” një mënyrë e re për mënyrën se si do të shiteshin biletat, duke krijuar një link ku fillimisht do të bëjë aplikimi e më pas do të përzgjidheshin personat që kanë përfituar të drejtën për të blerë një biletë. Diçka e tillë, solli shumë pakënaqësi dhe ndaj Serbisë, munguan “Tifozat Kuqezi” në stadium ashtu si edhe tifogrupe të tjera të cilat e kishin ndjekur Shqipërinë kudo ku ka luajtur, teksa edhe ndaj Letonisë u mbyll tribuna pas porte, pikërisht në sektorët ku vendosen “ultrasit”.

E TASHMJA ME MEDIAT- Pas ndeshjes ndaj Letonisë, shumica e pyetjeve karshi futbollistëve, lidheshin me ndeshjen e ardhshme ndaj Serbisë dhe të shumtë ishin ata që deklaronin se do të jetë vetëm një ndeshje futbolli, duke shmangur komentet mbi mundësinë e trazirave apo edhe provokimeve. Duke qenë se këto ndeshje kaluan pa deklarata dhe gjërat duket se po shkojnë qetë, FSHF ka marrë masa që të mos agravohet situata në ditët në vazhdim, gjë që në fakt e mban larg shtypin nga lojtarët e Kombëtares, në një kohë kur interesi për të ndjekur Shqipërinë, po bie ndjeshëm dhe kjo shihet në mënyrën si dhe sa po shiten biletat.



Lexoni të gjitha në Bota Sot