Markus Rashford ishte protagonist në fitoren e Barcelonës ndaj Njukasëllit, duke shënuar dy gola që i dhanë katalanasve tre pikët e para në Ligën e Kampioneve.
Pas ndeshjes, ai foli për “Movistar”, duke treguar emocionet dhe analizën e tij.
“E pashë golin e dytë vetëm në televizor dhe ishte një ndeshje e shkëlqyer. Ishte një stadium i vështirë, por luajtëm shumë mirë.
Me një goditje me kokë sulmova hapësirën në mbrojtjen e tyre dhe u përqendrova te kontakti me topin. Goditja me kokë është më e vështirë për mua, por e vërteta është se do të përpiqem të shënoj më shumë,” tha sulmuesi anglez.
Më tej, Rashford shtoi: “Me golin e dytë teknika ishte e mirë, por kjo lidhet me punën e përditshme.
Kam punuar gjithë jetën për këtë dhe është më shumë çështje besimi dhe guximi për t’iu afruar portës.
Është e vështirë të jesh titullar, sepse kemi një ekip me lojtarë të nivelit të lartë. Por, edhe pse jam në një qytet dhe kulturë të re, ndihem gjithnjë e më rehat. Po e shijoj. Ndërsa sezoni përparon, mendoj se do të luaj edhe më mirë”.