Estonia ka kërkuar konsultime të menjëhershme me aleatët e saj të NATO-s, në bazë të Nenit 4 të Traktatit të Aleancës, pasi tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të vendit mëngjesin e sotëm.
Lajmi u konfirmua nga Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, i cili e cilësoi incidentin si një “provokim serioz dhe të papranueshëm”.
Sipas tij, ngjarja ndodhi mbi Gjirin e Finlandës dhe forcat ajrore italiane të NATO-s, të dislokuara në rajon, ndërhynë menjëherë duke i shoqëruar avionët rusë jashtë hapësirës ajrore estoneze.
“Ky është një provokim serioz dhe i papranueshëm. Kemi kërkuar konsultime sipas Nenit 4 të NATO-s. Përgjigja jonë duhet të jetë e bashkuar dhe e vendosur. Jemi mirënjohës ndaj aleatëve dhe miqve tanë për mbështetjen e tyre të menjëhershme. Më të fortë së bashku,” shkroi Tsahkna në një postim në platformën X.
Neni 4 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, i nënshkruar në vitin 1949, i lejon një vendi anëtar të kërkojë konsultime me aleatë të tjerë kur percepton një kërcënim për integritetin e tij territorial, pavarësinë politike ose sigurinë.
Ndryshe nga Neni 5 , i cili vendos një detyrim për mbrojtje kolektive në rast të një sulmi të armatosur ndaj njërit prej anëtarëve, Neni 4 nuk parashikon përgjigje automatike, por aktivizon dialogun e menjëhershëm midis partnerëve. Prandaj, është një mjet diplomatik , i përdorur për të shqyrtuar situatat potencialisht serioze përpara se ato të përshkallëzohen në konflikt.