Conor McGregor ka njoftuar se po tërhiqet nga gara për postin e presidentit të Irlandës.
“Pas reflektimit të kujdesshëm dhe pas konsultimit me familjen time, po tërheq kandidaturën time nga kjo garë presidenciale“, shkroi ai në një postim në mediat sociale.
“Ky nuk ishte një vendim i lehtë, por është i duhuri në këtë moment“, tha më tej McGregor, ish-kampion i dyfishtë i botës në artet marciale mikse. Në shtator të vitit të kaluar, ai pat njoftuar qëllimin e tij për t’u bashkuar me garën për t’u bërë president i Irlandës .
Ai duhej të mbante një fjalim në takimet e Këshillit të Qytetit të Dublinit dhe Këshillit të Qarkut Kildare në një përpjekje për t’u futur në fletën e votimit për zgjedhjet e tetorit. McGregor do të duhej të nominohej ose nga 20 anëtarë të parlamentit irlandez ose nga katër autoritete lokale.
Kampioni i MMA-së tha se kishte qenë i sinqertë në lidhje me qëllimet e tij për të garuar në zgjedhje dhe ishte vërtet i përulur nga mbështetja dhe inkurajimi që mori.
“Ky nuk është fundi, por fillimi i udhëtimit tim politik. Unë jam i motivuar nga një angazhim për të përmirësuar jetën, për të mbrojtur të drejtat dhe për t’i shërbyer popullit irlandez me përkushtim dhe integritet”, tha McGregor.
“Do të vazhdoj t’i shërbej popullit tim në skenën globale duke lobuar për interesat më të mira të Irlandës në aspektin social dhe ekonomik – për këtë nuk ka dyshim. Kjo është një maratonë. Jo një vrapim i shpejtë!”, tha irlandezi.