Putin synon të rrisë taksat për të pasurit për të financuar luftën në Ukrainë

- Bota Sot

Putin synon të rrisë taksat për të pasurit për të financuar luftën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar këtë javë një valë të re taksash për qytetarët më të pasur të vendit, si pjesë e përpjekjeve për të mbushur arkën shtetërore dhe për të mbështetur financiarisht luftën e vazhdueshme në Ukrainë.

\Sipas Kremlinit, masat që po shqyrtohen përfshijnë rritjen e tatimeve mbi dividentët dhe normave të taksave për mallrat luksoze hapa që Putini i cilësoi si “të arsyeshme”. Ai i referohej taktikave të ngjashme të përdorura nga SHBA gjatë Luftës së Vietnamit dhe asaj të Koreas, kur u rritën taksat për shtresat me të ardhura të larta.

Njoftimi vjen në një kohë kur financat ruse janë nën trysni të shtuar. Fondi Kombëtar i Pasurisë, një ndër burimet kryesore të financimit të shtetit rus, ra në 36.4 miliardë dollarë në qershor, nga një nivel rekord prej mbi 140 miliardë dollarësh në fillim të pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Qeveria pritet të bëjë publike propozimet për rritjen e taksave në buxhetin që do t’i dorëzohet parlamentit më 29 shtator.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka zbuluar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, përfshirë ndalimin e importeve të gazit rus, zgjerimin e ngrirjes së aseteve për kompanitë e lidhura me Kremlinin, si dhe sanksione të mundshme ndaj blerësve ndërkombëtarë të naftës ruse.

Sipas Capital Economics, ekonomia ruse pritet të rritet me më pak se 1% gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm, një rënie e ndjeshme nga rritja 4.3% e vitit të kaluar. Edhe banka qendrore e vendit parashikon një rritje më të ulët se 2%.

Rënia e çmimeve të naftës dhe ndikimi i sanksioneve ndërkombëtare pritet të godasin fort eksportet ruse të energjisë, të cilat mund të bien me gati një të katërtën – një kërcënim serioz për një nga burimet kryesore të të ardhurave për Moskën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot