Estonia ka kërkuar një konsultim me anëtarët e tjerë të NATO-s pasi avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore të premten në mëngjes.
Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në qiellin e Estonisë "pa leje dhe qëndruan atje për gjithsej 12 minuta" mbi Gjirin e Finlandës, tha qeveria, shkruan BBC.
Italia, Finlanda dhe Suedia ngritën avionë në ajër në kuadër të misionit të NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor. Një zëdhënës i NATO-s tha se ky ishte "një tjetër shembull i sjelljes së pamatur ruse dhe aftësisë së NATO-s për tu përgjigjur".
Rusia mohoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë. Por tensionet janë përshkallëzuar kohët e fundit, pasi Polonia dhe Rumania - të dyja anëtare të NATO-s - thanë se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore.
Neni 4 i traktatit të NATO-s nis zyrtarisht konsultimet urgjente brenda aleancës me 32 anëtarë, e cila lidh SHBA-në dhe shumë vende evropiane së bashku në mbrojtjen kolektive.
Është hera e dytë këtë muaj që një anëtar i NATO-s ka kërkuar konsultime sipas Nenit 4. Polonia e bëri këtë më 10 shtator pasi dronët rusë hynë në hapësirën e saj ajrore.
Kryeministri estonez Kristen Michal tha se "Përgjigja e NATO-s ndaj çdo provokimi duhet të jetë e bashkuar dhe e fortë".
"Ne e konsiderojmë thelbësore të konsultohemi me aleatët tanë për të siguruar ndërgjegjësim të përbashkët për situatën dhe për të rënë dakord për hapat tanë të ardhshëm të përbashkët", tha Michal.