Masimiliano Alegri e ka përjetuar ndeshjen e Milanit me Udinezen në një mënyrë të pazakontë. Trajneri i pezulluar për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e mëparshme, pa takimin jo nga Zona VIP e stadiumit të Udinezes, , por i ulur në tribunën e gazetarëve.
Tekniku zgjodhi që të ulej në rreshtin më të lartë të tribunës së gazetarëve, aty ku pozicionohet zakonisht ndihmësi i tij Aldo Dolçeti. Por edhe aty, atij i dukej vetja si në pankinë, pasi gjatë gjithë ndeshjes, ulërinte udhëzime me zë të lartë, duke tundur krahët e duke u dhënë orientime futbollistëve, të cilët sigurisht nuk kishin si e dëgjonin nga ai pozicion.
Në fakt, i lidhur me të me kufje ishte pikërisht Dolçeti, i ulur në pankinë, i cili ia komunikonte me disa sekonda vonesë udhëzimet, sigurisht pa ulërima, futbollistëve të Milanit. Ndërkohë, lart në tribunë në disa momente Alegri nuk ndali as britmat apo grushtet ndaj tavolinës ku ishte ulur, në situata të veçanta të ndeshjes ku dukej se ekipi i tij po i lëshonte terren kundërshtarit, duke çuditur jo pak gazetarët e pranishëm të cilët dëgjonin çdo gjë.
Dhe nuk uli ritmin e pakënaqësisë as kur në shifrat 3-0 për skuadrën e tij, Milani lejoi një gjuajtje diagonale nga distanca, siç shihet në videon më poshtë.
SHIH VIDEON