Humbje dhe kartonë të kuq

- Bota Sot

Humbje dhe kartonë të kuq

Ekipet e kryeqytetit në këtë sezon duken shumë larg pritshëmrive, teksa po zhgënjejnë ndeshje pas ndeshjeje. Ditën e djeshme Tirana dhe Partizani u mposhtën respektivisht nga Egnatia dhe Elbasani.

Humbje këto që “plagosin” kryeqytetin, me skuadrat që nuk bindin as në lojë në këtë sezon. Ditën e djeshme bardheblutë u mposhtën 2-0 nga kampionët aktualë, ndërsa “Demat” u mposhtën 1-0 nga verdheblutë.

Por jo vetëm kaq, pasi loja agresive e ekipeve bëri që gjyqtarët të nxirrnin edhe kartonin e kuq ndaj futbollistëve të ekipeve të kryeqytetit. Kështu te Tirana u ndëshkua me të kuq Henry Marku, ndërsa te Partizani mori të kuq Altin Bytyçi.

Atmosfera te bardheblutë dhe të kuqtë nuk është aspak pozitive, duke zhgënjyer shumë në këtë sezon. Të dyja ekipet po tradhtohen nga liderët e tyre, pasi siç dihet edhe Marku dhe Bytyçi janë lojtarë titullarë te bardheblutë dhe te të kuqtë.

Tashmë jemi vetëm 1 ndeshje larg derbit të kryeqytetit dhe sfida e ardhshme për ekipet duhet të shërbejë si një “autokritikë” para duelit direkt mes tyre. Ndërkohë derbi më pas mund të “shërojë” ose të “plagosë” akomë më shumë klubet respektive.

Vlen të theksohet se derbi i parë i këtij sezoni mes Partizanit dhe Tiranës është parashikuar të zhvillohet më 3 tetor në orën 19:00 dhe është i vlefshëm për javën e 6-të të kampionatit.

Ndërkohë para derbit të madh të kryeqytetit, Tirana do të luajë një tjetër derbi, atë ndaj Dinamos më 27 shtator, ndërsa Partizani do të duelojë me Bylisin në transfertë.  



Lexoni të gjitha në Bota Sot