La Liga ka njoftuar kufijtë e rinj të pagave për sezonin 2025-26 për çdo klub, pas mbylljes së merkatos verore. Lajmi kryesor ishte sërish Barcelona, e cila pësoi një rënie gati 24% në kufirin e saj të pagave për muajin janar.
Burimi kryesor i këtij ndryshimi lidhet me heqjen nga llogaritë e tyre të marrëveshjes 30-vjeçare të lozhave VIP, me vlerë 100 milionë euro, e cila u anulua nga auditorët Crowe pas një auditimi në janar.
Si rezultat, kufiri i pagave të klubit ra nga 463 milionë euro në 351 milionë euro.
Nuk ishte për t’u habitur që gazetarët e pranishëm ishin të etur për të mësuar më shumë rreth situatës së Barcelonës dhe, më saktë, kur klubi do të rikthehej brenda kufirit të pagave dhe për rrjedhojë, në të ashtuquajturën “rregulla e shpenzimeve 1:1”. CEO i La Liga-s, Javier Gomez, tha se kishte besim se klubi do ta zgjidhte këtë çështje.
“Jam i bindur se ata do ta zgjidhin në fund. Klube si Real Madridi dhe Barcelona janë gjigantë, por mendoj se do ta kapërcejnë. Duhet të punojnë për këtë, por do ta bëjnë. Problemi është se stadiumi është i mbyllur, që do të thotë se po humbasin shumë para. Po flasim për 70-80 milionë euro. Pyetja është kur do të ndodhë. Ka edhe marrëveshja e lozhave VIP, që vlen 100 milionë euro.”
Ndërkohë, Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, pasi hodhi poshtë idenë se rregulloret e kufirit të pagave ishin tepër strikte, komentoi gjithashtu për situatën e Barcelonës. Ai u shpreh qartë se La Liga nuk kishte më shumë informacion sesa shtypi lidhur me momentin kur marrëveshja e lozhave VIP mund të shtohej sërish në llogaritë e klubit.
“Ne nuk jemi auditorë. Duhet t’i pyesni auditorët.
Kur bëhet fjalë për terma kontabël, dhe për atë që ndodh me llogaritë e klubeve, ne nuk kemi informacion apo tregues për këtë. Jemi të lidhur me atë që thotë auditori. Ajo që ndodhi ishte se auditorët e mëparshëm thanë po, ndërsa auditorët aktualë e hoqën marrëveshjen nga llogaritë. Gjithçka varet nga ajo që ndodh aty, ne duhet t’i përmbahemi kësaj, nuk mund të shkojmë kundër tyre.”
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka qenë i vendosur gjatë katër merkato-ve të fundit se klubi do të arrinte të funksiononte me rregullin e shpenzimeve 1:1 dhe pa kufizime shtesë për regjistrimin e lojtarëve. Në janar, kjo u arrit përkohësisht, duke i lejuar atyre të regjistronin Dani Olmo-n dhe disa kontrata të reja. Megjithatë, këtë verë, bordi i Barcelonës u detyrua sërish të vendoste garanci personale për të siguruar që Marcus Rashford dhe Joan Garcia të regjistroheshin./